Guardiola: Duhet më shumë respekt ndaj ekipit tim

schedule13:10 - 18 Maj, 2019

schedule 13:10 - 18 Maj, 2019

Trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola, nuk është i lumtur me vlerësimin e publikut anglez për sukseset e ekipit të tij. Ai mendon se Liverpuli apo Mançester Junajtidi trajtohen me më shumë respekt.

Sukseset kanë qenë të mëdha, por lumturia jo e plotë.

Mançester Siti është sot në prag të finales së Kupës së Anglisë, që mund t’i japë trofeun e tretë, madje të katërt kombëtar.

Pep Guardiola ka mundësi të shtojë një tjetër titull, pas Kupës së Ligës, Premier Ligës dhe Superkupës së Anglisë, por trajneri katalanas duket disi i pezmatuar, edhe pse shikohet i qeshur në stërvitje.

Në konferencën për shtyp përpara duelit me Uatfordin, Pepi bëri një vërejtje.

“Njerëzit nuk i pëlqejnë fituesit, – tha ai, – edhe këtu, edhe në Spanjë, në Itali, kudo! Ndjej se lojtarët tanë dhe të gjithë njerëzit në klub janë të lumtur me këtë që kemi bërë, po ashtu tifozët, por nuk po marrim respektin që meritojmë. Mendoj se Liverpuli apo Mançester Junajtidi po merren më shumë seriozisht sesa ne”.

Guardiola arsyetoi se fitorja e titullit nga Siti u quajt “një arritje”, ndërsa nëse do të kishte fituar Liverpuli, që priste 29 vjet, kjo do të kishte qenë një “arritje e jashtëzakonshme”.

Katalanasit e kupton se standardet nuk janë thjesht dy tituj radhazi, po epoka suksesi si ato të Mançester Junajtidit me Sër Aleks Fergusonin apo të Liverpulit me Bob Pejslin në vitet 70-të e 80-të.

Liverpuli dominoi futbollin anglez dhe atë europian, ndërsa Junajtidi fitoi 13 tituj kampion në Angli si dhe dy herë Championsin.

Natyrisht, Guardiola ka vetëm 3 vjet në stolin e Sitit, dhe deri tani ka dështuar në Ligën e Kampionëve, madje nuk ka arritur dot as deri në gjysmëfinale.

Sidoqoftë, nuk duhet harruar se Fergusoni u prit 7 vjet për të nisur epokën triumfatore në “Old Traford”.

Nuk dihet nëse ai do të ketë kohën, fatin dhe zotësinë për t’ia dalë, aq më tepër me dënimin e pritshëm të UEFA-s./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!