Grushte, sherre dhe protestë tifozësh. Çfarë ndodhi në Superligë?

schedule12:43 - 29 Prill, 2019

schedule 12:43 - 29 Prill, 2019

Grushta, sherre dhe protestë tifozësh në ndeshjet e fundit të Superligës. Nga Korça në Gjirokastër, futbolli shqiptar nuk ishte aspak i qetë këtë fundjavë.

Nuk pati dhunë nga ajo që jemi mësuar të shohim, por gjithsesi nuk kaloi pa probleme. Fundjava e Superligës shqiptare provoi edhe grushte mes lojtarëve edhe konflikte brenda skuadrës, por edhe një protestë tifozësh.

Grushtet ishin në Korçë, në ndeshjen mes Skënderbeut e Flamurtarit, që në pamje të parë nuk pati histori me fitoren vendase 2-0.

Gjithsesi, një sport i ashpër si futbolli i ngre shpejt nervat, dhe kështu ndodhi në minutën e 53-të, kur vlonjatët nuk nxorrën topin jashtë vijave kufizuese të fushës, për të lejuar dhënien e ndihmës për Gjergji Muzakën e dëmtuar.

Protagonistët ishin Idriz Batha i Flamurtarit dhe Marko Radas i vendasve, që nuk u lejuan nga shokët për të konsumuar sherrin fizik.

Gjithsesi, kjo do të ndodhte në fund. Me të vërshëllyer gjyqtari, nervozizmi u kthye dhe sërish Batha e Radash patën diçka për të sqaruar.

Në pamjet filmike nuk duket më shumë, por burime brenda skuadrave pohojnë se dy lojtarët shkëmbyen grushte në tunelin e stadiumit, ndërsa pritet vendimi i Disiplinës lidhur me një dënim të mundshëm.

Në Kamzë, aty ku luajti Kukësi me Teutën, në fushë nuk ndodhi asgjë, por sërish qetësi nuk pati.

Nervat ishin të acaruara mes lojtarëve kuksianë, pasi kapiteni Musolli i hoqi vërejtje sulmuesit Rezhinaldo gjatë nxemjes, aq sa u detyrua të ndërhynte një shok i ekipit për të shmangur më të keqen.

Konflikti vazhdoi në dhomën e zhveshjes përpara ndeshjes, dhe trajneri Gjoka njoftohet se deshi ta pezullonte Rezhinaldon, por përfundimisht u vendos që ai të luante.

Nuk është hera e parë që sulmuesi nga Mozambiku ka probleme, pasi të tilla kanë ndodhur me ish-trajnerin Cungu apo kur ishte në Laç, me presidentin Laska.

Pritet gjobitje nga ana e klubit për Rezhinaldon që vështirë se do të jetë në ekip sezonin e ardhshëm. Së fundmi, tifozët e Tiranës mbetën të pakënaqur me barazimin e skuadrës së tyre në Gjirokastër.

Për këtë arsye, ata vendosën t’i zinin pritë ekipit gjatë rrugës së kthimit, për t’u shprehur gjithë pakënaqësinë e tyre. Klubi rekordmen i titujve në Shqipëri rrezikon sërish rënien nga kategoria dhe tifozët natyrisht që nuk mund të jenë të lumtur./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!