Grupi B/ Shpërthejnë Pogradeci dhe Apolonia. Lushnja shpëton në fund

schedule14:54 - 7 Dhjetor, 2019

schedule 14:54 - 7 Dhjetor, 2019

Garë treshe në grupin B. Apolonia ka bërë detyrën ndaj Elbasanit të vendit të fundit, madje ka shpërthyer në 45 minuta dhe ka realizuar shtatë gola. Gjata realizoi dy herë dhe i la radhën Omerit, i cili realizoi më pas tre gola të tjerë. Hyseshahaj dhe Mehmeti realizuan edhe dy herë, ndaj një Elbasani inekzistent në fushën e blertë. Në pjesën e dytë pati “mëshirë”, pasi nuk u shënua asnjë gol tjetër dhe ndeshja u mbyll me rezultatin 7-0 në favor të Apolonisë.

Spektakël edhe në Pogradec, ku u shënuan shtatë gola. Devolli i shënoi tre herë vendasve në 45 minutat e para, me Çelën (dygolësh) dhe Rapon, kurse Hidri shënoi të vetmin gol për liqenorët. Në të dytën ishte Jahaj që me penallti rihapi takimin, kurse Topllari barazoi shifrat. Pura në shtesë i dha fitoren Pogradecit, që ruan kreun e klasifikimit.

Nuk pati fitues në Shënkoll. Aty ku vendasit i shënuan dy herë Lushnjës plot mungesa. Gruda ndëshkoi dy herë skuadrën mike, që reagoi me të zakonshmin Mikel Canka. Sulmuesi ngushtoi shifrat në 2-1, kurse Armando Mezini shmangu humbjen me golin e shënuar gjashtë minuta para përfundimit të kohës së rregullt. /abcnews.al