Pogradeci nuk e lëshon vendin e parë në grupin A, pasi ka mundur ditën e sotme skuadrën e Orikut. Vlonjatët rezistuan gjatë, por në minutën e 82-të nuk e ndalën dot Shkullakun të realizonte golin e triumfit për liqenorët.
Apolonia i është kundërpërgjigjur rivalëve, duke mundur Turbinën me shifrat 3-1. Gjata, i cili nuk shënoi edhe nga penalltia, ishte ai që hapi takimin. Llanaj vendosi baraspeshën përkohësisht, pasi Zoga dhe Mihana realizuan dy herë në fraksionin e dytë të lojës dhe i dhanë fitoren skuadrës së drejtuar nga Artan Mergjyshi.
Në Bilisht Devolli ka mposhtur me përmbysje ekipin e Elbasanit, që renditet në vendin e fundit në klasifikim. Miqtë shënuan të parët me Çemën, por Cane, Sadik Çela dhe Kame gjetën rrugën e rrjetës dhe i dhanë fitoren skuadrës vendase.
Fitore me shumë vlera ka marrë Shënkolli, që ka lënë vendin e parafundit. Lezhjanët, edhe pse pësuan të parët, ia dolën të triumfojnë. Xhymertit të Ilirisë iu përgjigj fillimisht Gruda, kurse më pas Redon Danaj realizoi edhe dy herë të tjera. Xhaferri në fund shënoi për statistika. /abcnews.al