Pasditen e së enjtes që sapo lamë pas, në Paris të Francës u hodh shorti përcaktues i fazës së grupeve, të kompeticionit për përfaqësueset, UEFA Nations League, ku pjesë janë edhe “Gjelat” e Francës, të cilët këtë edicion janë pozicionuar, si zakonisht, në Ligën A, ku në grup do të kenë Kombëtaret e Italisë, Belgjikës e Izraelit.
Pas këtij shorti, një koment të shkurtër e bëri edhe tekniku i Kombëtares franceze, Didier Deschamps, i cili e konsideroi këtë grup, si një “grup ferri”, jo vetëm për skuadrën e tij, por edhe për kundërshtarët, teksa u shpreh veçanërisht i emocionuar për klasiken e madhe të futbollit evropian, ndaj “Të Kaltërve” italianë.
“Skuadrat e Ligës A janë të gjitha të forta. Personalisht jam i lumtur që do të rikthehem në Itali për t’u përballur me “Të Kaltërit”. Do të shijojmë ndeshje të nivelit të lartë në këtë grup. Që është një grup ferri për të gjithë. Është një kompeticion që do të zhvillohet pas Evropianit. Për momentin, të gjithë trajnerët e kanë mendjen te përgatitjet e Gjermani 2024. Më pas do të mendojmë për Nations League. Një turne ambicioz që fillon në shtator dhe ky objektivi i të gjithëve ne është t’i shkojmë deri në fund”,- u shpreh tekniku i 2 herë kampionëve të botës. /i.m /abcnews.al