Gruaja e qilimave/ Aishe Kurti: Marr porosi për pajet e nuseve, zanat që po zhduket

schedule20:35 - 8 Prill, 2023

schedule 20:35 - 8 Prill, 2023

Fijet shumëngjyrëshe i lëviz me shpejtësi sa në një cep në tjetrin. I kalon lart e poshtë në tezgjah derisa krijon motivet.

Kjo është Aishe Kurti nga Librazhdi, nga duart e të cilës enden qilima, sixhade ornamente tradicionale

Me shaka tregon se zanatin ia ka vjedhur mamasë dhe gjyshes së saj teksa I vëzhgonte kur punonin.

“Rrija pranë nënës, e shikoja. Ia merrja fshehtas atë punë. Këtë punë e kam filluar që në 95. E kam pasur si pasion, të trashëguar nga gjyshja. Si fillim nisa me një rrugicë, e më pas me qilima. E më pas me porosi.”

Për të realizuar një punë të tillë duhet kohë dhe mundim.

“Për punimin e një rrugice duhet 8 orë në ditë për 7 ditë. Për një qelim dhomë duhet 1 muaj kohë”

Inspirimin për të bërë këto qilima, e ka gjetur te modelet e mëparshme.

“Kam pas gjetur edhe qilima të kohëve më para, ose ia jepja një arkitekteje të ma nxirrte në vizatim teknik”.

Artizania tregon se kërkesa për të pasur një punim me dorë në shtëpi nuk ka rëndë. Madje thotë se porositë tashmë i ka edhe jashtë Shqipërisë.

“Porosi individuale. Vajzat që do martoheshin, për pajë. Ka filluar të hyjë në trashëgimi.  Kam pas edhe porosi jashtë shtetit. Edhe këtë e kam porosi nga një vajzë që do martohet dhe e do për pajë.”

Aishja ka mundur t’ua trashëgojë zanatin të bijave.

“Po venitet, por ne s’duhet ta lëmë të venitet. Është e lodhshme, por duhet ta lëmë pas dore. Duhet tua mësojmë ne brezave të rinj. Edhe unë vajzave të mia ua kam mësuar. Më ndihmojnë. Brezat e rinj të kthejnë kohën nga tradita,. Ta dinë punën e dorës. Mos ta harrojnë. Nëpër zonat tona ka qenë punuar shumë, moshat e reja nuk e kanë me shumë qejf, është gjynah të humbasë”

Punimet në tezgjah janë një traditë e lashtë e vajzave dhe grave që endin prodhime për nevojat e familjes dhe të të afërmve të tyre./abcnews.al