Vdekja e mbretëreshës Elizabeth, lufta në Ukrainë dhe shumë më tepër: lajmet e viteve të fundit i ka marrë vesh vetëm kur ka dalë nga shpella pas 500 ditësh izolim.
“Kam ngecur në 21 nëntor 2021, ishte një eksperiencë e shkëlqyer ”, ishin fjalët e para të Beatriz Flamini, alpinistja spanjolle 50-vjeçare, protagoniste e kësaj vepre të jashtëzakonshme.
Në fakt, ajo mbeti gati një vit e gjysmë e bllokuar në një thellësi prej 70 metrash në një zgavër në Motril, në Spanjën jugore.
E monitoruar nga një ekip shkencëtarësh nga universitetet e Almería-s, Granada-s dhe Murcia-s, të cilët mbanin kontakte me të përmes teknologjisë speciale dhe të kufizuar, përmes mesazheve, Beatriz besohet se ka thyer rekordin botëror për kohën më të gjatë që një person ka kaluar vetëm në një shpellë.
Ajo doli nga strofulla nëntokësore të premten dhe, pas një kontrolli të shpejtë me një mjek dhe një psikolog, mbajti një konferencë për shtyp, për 50 minuta, ku foli për përvojat dhe njohuritë e saj.
Gjatë qëndrimit në shpellë, ajo u përball me shumë sfida. Megjithatë, arriti të ruajë arsyen dhe fokusin duke përdorur përvojën e gjatë për përgatitjen mendore. Ajo fliste me veten, por kurrë me zë të lartë dhe përqendrohej te mendimet, ndjenjat dhe veprimet.
Beatriz e kalonte kohën duke lexuar, shkruar, vizatuar dhe thurur. Ajo arriti të qëndrojë në formë të mirë fizike, lexoi 60 libra dhe përdori dy kamera për të dokumentuar përvojën për një dokumentar të ardhshëm.
Para se të hynte në shpellë, ajo i tha ekipit të saj se nuk donte t’i tregonin se çfarë po ndodhte jashtë, edhe nëse kjo përfshinte humbjen e një njeriu të dashur.
/abcnews.al