Gruaja: Burri më vdiq në punë i asfiksuar nga gazi, por mjeku ligjor…

schedule21:52 - 12 Shtator, 2018

schedule 21:52 - 12 Shtator, 2018

Zoje Latifaj tregoi për emisionin”Stop” sesi bashkëshorti i saj, Rito Latifaj humbi jetën i asfiksuar nga gazi më 26 Maj 2016, vetëm një muaj pasi kishte filluar punë tek puset e naftës në Kocul.

“Kishte 20 ditë i punësuar si roje në zonën e naftës. E pritëm në darkë që të vinte në shtëpi, por nuk erdhi. E telefonuam dhe kur nuk e ngrinte telefonin, djemtë ikën për ta kërkuar. Por këtu është një vend burimi shumë i madh dhe ikën nga sektori i dytë. Djali kaloi dhe e ka gjetur pikërisht në këtë vend, afër tubit të gazit dhe naftës. Ora ishte 2.30 – 3.00 e natës”, rrëfeu bashkëshortja e viktimës.

Ajo u shpreh se familjarët e tyre e larguan trupin e pajetë nga vendi i ngjarjes dhe e çuan në shtëpi, në pritje të policisë. Zonja Zoje tha se bashkëshorti nuk kishte shenja dhune në trup, por vetëm fytyrën të nxirë dhe me flluska.

Sipas raportit mjeko-ligjor, shkaku i vdekjes së Rita Latifajt ishte rrjedhja e gazit, duke eleminuar të gjitha pistat e tjera të mundshme.

Por më pas gjithçka ndryshoi. Avokati i familjes Latifaj, Adriatik Lapaj tha se mjeku ligjor, i cili bëri skedën e vdekjes së viktimës, përcaktoi si shkakun e vdekjes thyerjen e këmbës. “Ndërkohë që nga akti që është bërë në vendngjarje rezulton nga të gjitha të dhënat që personi ka qenë i padëmtuar fizikisht”, u shpreh avokati.

Nëpunësi i gjendjes civile tregoi se sipas raportit të mjekut Auron Rexhitaj, Rito Latifaj ka ndërruar jetë më 26 Maj 2016 në orën 21:00 dhe i ka dalë certifikata e vdekjes më 2 Qershor të po atij viti.

“Shkakun që i ka vënë të shkruar është shkak aksidental i lidhur me ambientin rrethues dhe të tjera të papërcaktuara, me një kod 928”, tha nëpunësi.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë caktoi prokurorin Erion Shqarri për zbardhjen e vdekjes së Rito Latifajt. Ky prokuror vendosi mosnisjen e hetimeve, duke mosngritur një grup ekspertimi për të përcaktuar gjendjen fizike dhe amortizimin e puseve të naftës, si dhe dëshminë e punonjësve.

Avokati i familjes Latifaj tha: “Për mua është një nga rastet tipike, ku shteti ka dështuar në 100% të hallkave të tij dhe ku është manipuluar totalisht vdekja e një njeriu, me qëllim mendoj unë. Prokuroria vendosi pushimin e çështjes sepse nuk gjente elementë të një vepre penale, çka e kundërshtuam në gjykatë. Gjykata vendosi rifillimin e hetimeve”.

Pas vendimit të Gjykatës së Vlorës për rifillimin e hetimeve, çështja iu caktua prokurorit Erion Çela. Por ky i fundit për rreth 7 muaj nuk e ka prekur ende dosjen e çështjes së vdekjes së Rito Tafilajt. Familjarët e viktimës iu drejtuan Prokurorisë Vlorë për të pyetur prokurorin Çela për të mësuar se çfarë ka ndodhur me këtë çështje.

Recepsioni Prokuroria Vlorë – Çfarë t’i them unë?

Zoje Latifaj – Ta takojmë një çikë, ku është dhe dua të bëj një takim se çfarë është bërë me çështjen e dosjes së Ardian Latifajt.

Djali i viktimës – O vëlla, merre telefon!

Recepsioni Prokuroria Vlorë – Do t’i ta takosh, por…

Djali i viktimës – O vëlla, ka mundësi ta marrësh në telefon?

Zoje Latifaj – Kështu na thanë, telefonoje që të lesh një takim. Vetëm kaq!

Recepsioni Prokuroria Vlorë – O shef, është mamaja eee… Ardian Latifit, do të bëjë një takim! E ka pas njëherë, e ka pasur Erion, ky Shqarri dhe e keni marrë ju. Dakord! Ai e di se çfarë më tha?

Merri numrin e telefonit atyre dhe do t’i thërras unë se s’e kam parë fare, nuk e njoh fare si çështje se e ka pas ai tjetri. Tani kështu më tha mua, s’e njof fare nuk e njoh çështjen fare.

Zoje Latifaj – Nuk e njeh fare, 7 muaj kjo çështje nuk e njeh ëëëë… sa mirë!

Recepsioni Prokuroria Vlorë – Edhe merri numrin, do i thërras unë!

Zoje Latifaj – Në rregull! Ai këtë çështje nuk e ka njohur këtu e 7 muaj. Faleminderit! Mirupafshim!

Gazetari i emisionit “Stop” shkoi në Kocul për të parë nga afër sesi janë kushtet në puset e naftës dhe për të pyetur punonjësit nëse ka patur raste të ngjashme me atë të Rito Tafilajt.

Gazetari – Ka pasur raste të tjera që mund të jenë helmuar nga gazi këtu, qoftë bagëti ose persona?

Punonjësi – Raste ka pasur plot.

Gazetari – Ka pasur më përpara ëëë?

Punonjësi – Më përpara plot ëëë…

Gazetari – Po se është zona, se dallohet.

Punonjësi – Zona, çfarë flet…

Gazetari – Po është zona se dallohet, edhe ne kur zbritëm këtu. Po ju si ia bëni?

Punonjësi – Po tani me të ruajtur, i dalim në të kundërt, kur…

Gazetari – Halli të bën. Po si dallohet gazi kur del apo thjesht nga era?

Punonjësi – Nga era edhe kur ka shumë, duket kështu.

Gazetari – Duket, që del si …Ja na mbyti shiko era… Nga del?

Punonjësi – Fryn erë tani. Dil më tutje!

Gazetari – Bo, bobo… të marrim kështu ndonjë shami ndonjë gjë. Po nga vjen? Nga del?

Punonjësi  Nga depot.

Gazetari – A nga depot del ajo era? Kurse atje që ka ndodhur ajo e z.Latifaj?

Punonjësi – Atje ka qënë linja.

Gazetari – Ndonjë avari në linjë?

Punonjësi – S’e kam idenë se kanë qënë tuba të vjetër, amortizohen ato në çdo kohë.

Nga ana tjetër, eksperti Auron Rexhitaj, i përballur më familjarët e viktimës, pranoi se Rito Tafilaj ka humbur jetën nga gazi dhe se nuk është në dijeni të raportit që e klasifikon ngjarjen si aksident.

Djali i viktimës – Ti je Auroni ëë?

Eksperti mjeko-ligjor Rexhitaj – Po!

Djali i viktimës – Unë jam Marjano Latifaj, djali i Ritos.

Zoje Latifaj – Ti si mjeko-ligjor, kur ke ardhur në shtëpinë time, si të është dukur? Të është dukur nga gazi apo si vetëvrasje?

Eksperti mjeko-ligjor Rexhitaj-  Nga gazi nga gazi, nuk është vetëvrasje!

Zoje Latifaj – Tani, kur ke bërë këtë fletën tjetër, që është përpiluar kjo fleta tjetër, ndërkohë që ti e ke thënë atje ka thyerje gjymtyrësh…

Eksperti mjeko-ligjor Rexhitaj –  Thyerje gjymtyrësh?

Zoje Latifaj – Po, është e shkruajtur aty. Mirë në rregull, nuk është shkruajtur, nuk është shkruajtur, ndërkohë që Rito Latifaj a ka thyerje gjymtyrësh? Ndonjë dëmtim në trup?

Djali i viktimës – Asnjë gjë!

Zoje Latifaj – Jo! Është nga gazi?

Eksperti mjeko-ligjor Rexhitaj – Ta kam shkruajtur në kllapa: mundësia më e madhe është elemimi nga gazi. Pse?

Zoje Latifaj – Janë dy skeda vdekje?

Eksperti mjeko-ligjor Rexhitaj – Do flasim edhe për të dytën, por të mbarojme një herë me të parën!

Zoje Latifaj – Dhe ke kërkuar një falje…

Eksperti mjeko-ligjor Rexhitaj – Një sekondë një çikë…

Zoje Latifaj – Që kam ngatërruar kod. A të kujtohet?

Eksperti mjeko-ligjor Rexhitaj – Një sekondë, një çikë! Unë i kam të shkruara të gjitha shenjat, që korrespondojnë me helmimin nga gazi. Kupton? Se unë nuk mund të ve dot një diagnozë pa përcaktuar shenjat, që është korrespodente me këtë diagnozë. Dhe unë kam thënë të gjitha këto shënjat, që janë fizikisht dhe në fund kam shkruajtur, nuk e them dot shkencërisht, por mundësia më e madhe është helmimi nga gazi dhe aty u mbyll.

Djali i viktimës – Unë s’di pse më ka vdekur babai, o vëlla! Që ta di për shembull, ka vdekur nga gazi? Ka vdekur nga gazi e ta lë? Tani, në qoftë se i ka thyer njeri këmbën, ta di ku ta marr hakun. Dua të di, pse prokuroria për shembull nuk të ka thirrur ty në një seancë gjyqi, kur unë kam bërë seancat e gjyqit? Të sqarohet, o vëlla, që është bërë kështu, kështu! E kupton? Kam dy vjet në prokurori, nuk jeni prezantuar asnjëherë.

Eksperti mjeko-ligjor Rexhitaj  Është bërë kjo ngatërresa dhe unë kam ardhur në prokurori dhe kam thënë jo, në asnjë mënyrë! Ky e ka nga gazi. Kjo këtu është gabim mund të jetë lapsus, mund të jetë marrë… kështu, por e vërteta është kjo.

Pra eksperti mjeko-ligjor ka pranuar edhe në prokurori se ka ndodhur një ngatërresë me kodin e skedës, çka do të thotë se nuk ka dy skeda dhe se viktima ka ndërruar jetë për shkak të helmimit nga gazi dhe jo nga shkaqe të tjera.

Me provat që siguroi emisioni “Stop”, prokurori i çështjes, Erion Çela mundi të zbardhë dhe t’i japë zgjidhje çështjes së vdekjes së Ridvan (Rito) Tafilajt./tvklan.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!