Mbreti i thrillerëve ligjorë, John Grisham, librat e të cilit janë përkthyer edhe në shqip, ka kritikuar ashpër lidershipin aktual në Shtetet e Bashkuara, që sipas tij ka futur në krizë institucionale Amerikën.
Është një nga shkrimtarët më në zë në Shtetet e Bashkuara dhe në gjithë botën për romanet e tij me karakter ligjor. Dhe John Grisham, pena e të cilit ka denoncuar gjithmonë problemet dhe padrejtësitë që karakterizojnë “tokën e premtuar” nuk ngurron të kritikojë lidershipin aktual amerikan.
I ndodhur në Milano të Italisë për promovimin e librit të radhës, Grisham ka deklaruar se problemi më i madh me të cilin përballet Amerika sot është hyrja e shfrenuar në borxhe e të rinjve që duan të përfundojnë studimet. Këtë subjekt ai e ka prekur në librin “The Rooster Bar”, që tregon historinë e tre të rinjve, që në përpjekje për të ecur në jetë regjistrohen në një institut në duart e një afaristi njujorkez të paskrupullt dhe papritur gjenden me borxhe deri në fyt.
“Personazhet kryesore të librit tim janë tre vetë, të cilët luftojnë kundër një njeriu negativ, që përfaqëson tre gjëra njëkohësisht: qeverinë, ligjin dhe bankat që japin kreditë”, ka thënë Grisham. Por mbreti i thrillerëve ligjore nuk ndalet me kaq në rebeshin e kritikave. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara ndodhen në një krizë të madhe, me institucionet që nuk funksionojnë.
“Duhet një reformë në drejtësi, në sistemin ligjor, sidomos për dënimin me vdekje, procesi për të cilin ka një kosto të madhe. Në burgjet e Amerikës ka disa dhjetëra mijëra të pafajshëm dhe kjo është një nga shqetësimet e mia më të mëdha”, ka thënë Grisham.
Por shkrimtari, librat e të cilit janë përkthyer edhe në shqip, nuk ngurron të shprehë qëndrimin e tij edhe sa i takon lirisë së armëve dhe për këtë nuk i kursen kritikat.
“Jetojmë në një vend të çmendurish. Armët që prodhohen sot janë shumë të rrezikshme, mund të blihen nga të gjithë. Janë armë të shkatërrimit në masë”, ka vijuar Grisham.
Sa i takon shanseve për ndryshim, ai nuk sheh presidentin aktual Donald Trump si personin që do të zgjidhë problemet.
“Na mungon Obama. Sot mund të themi se ai ka bërë një punë të mirë, edhe pse i kishte duart e lidhura. Kongresi ishte në duart e republikanëve, që e urrenin. Për ne është e habitshme se si Trump ka arritur deri këtu. Ai ishte një person i parekomandueshëm 30 vjet më parë e jo më tani”, ka shtuar Grisham./abcnews.al