Gripi i shpendëve aktualisht është lokalizuar vetëm në një prej kapanonëve të pularisë Rea’s në Xhafzotaj pranë Durrësit.
Nga kontrollet e kryera në një sipërfaqe prej dhjetë kilometrash nga zona veterinerët sipas Autoritetit Rajonal nuk kanë zbuluar asnjë vatër tjetër të virusit.
“Na ka ndodh vetëm në një kapanon kur subjekti posedon katër kapanone. eri në këtë ditë që flasim ne sëmundjen e kemi të monitoruar dhe nën kontroll. Veterinerët e Qarkut Durrës janë në terren, në grupe të veçanta po monitorojnë zonën në 3 dhe 10 km, në mënyrë që të marrin masa për kapjen në kohë dhe mospërhapjen e sëmundjes. Deri tani situatën e kemi nën kontroll edhe në kapanonet që janë brenda stabilimentit nuk kemi shfaqje veç njërit që ka ndodh me datën 3”, tha drejtori i Autoritetit Rajonal të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Sulejman Kullolli.
Pularia është vendosur e gjitha në karantinë ku do të qëndrojë për të paktën 21 ditë. Ndërkohë pulat e ngordhura janë izoluar në kapanonin ku është konstatuar sëmundja dhe Qendra Kombëtare e Krizës po shqyrton mënyrën e asgjësimit.
“Ne do të ndjekim të gjitha hapat për eliminimin dhe asgjësimin. Ligji nuk përmban vetëm groposjen, përmban incenerimin, ne jemi në negociata për ta mbyll me mënyrat e duhura. Sot kontigjenti do eliminohet. Aty nuk hynë e nuk del asgjë, as produkte as nënprodukte as pleh asgjë. Zona qendron në karantinë të detyrueshme pastaj shikojmë mund të zgjasë deri në 30 ditë. Deri në datën katër kanë ngordh rreth 22 mijë e 900 shpendë”, shtoi ai.
Vezët e gjetura në pulari në momentin e konstatimit të gripi janë bllokuar. Ndërsa analizat e kryera pranë Institutit të Shëndetit Publik kanë rezultuar negative duke konfirmuar sipas autoritetit veterinar se nuk ka kalim i gripit nga shpendët tek fermerët.
Për herë të parë gripi i shpendëve ne vendin tonë është shfaqur në vitin 2021. Ndërkohë më herët këtë vit vatra të tij janë zbuluar në Zall Herr dhe Paskuqan në shpendë oborresh.