Spitali i Elbasanit po përballet ditët e fundit me fluks pacientësh me simptomat e gripit. Shumë prej këtyre pacientëve, pasi marrin trajtim kthehen në shtëpi. Kurse rastet më të rënda nisen drejt Sanatoriumit në Tiranë.
Një valë e pazakontë e epidemisë së gripit ka përfshirë të gjithë qarkun Elbasan. Gjatë ditëve të fundit ka patur fluks të pacientëve që manifestojnë shenjat e sëmundjes.
Vetëm në spitalin pediatrik të Elbasanit paraqiten mesatarisht çdo ditë 150 fëmijë të prekur nga viroza. Por sëmundja ka prekur çdo grup moshë dhe tashmë numri i atyre të paraqitur në qendra shëndetësore dhe spitale përllogaritet në disa mijë.
Shumica marrin këshillat e nevojshme dhe mjekim ambulator e pastaj trajtohen në shtëpi. Vetëm rastet e rënda qëndrojnë në spital. 3 raste në gjendje të rëndë janë dërguar në Sanatoriumin e Tiranës dhe fatkeqësisht ka pasur edhe viktima.
Me anë të një komunikate, drejtori i Shëndetit Publik Elbasan, Xhevahir Budani, bëri me dije se qendrat shëndetësore dhe spitalet janë furnizuar me të gjitha medikamentet e nevojshme dhe se strukturat e shëndetësinë në çdo nivel janë në gatishmëri./abcnews.al