Antoine Griezmann po krahasohet me Lionel Messin pasi udhëhoqi Barcelonën në fitoren ndaj Betisit, në ligën spanjolle. Kampioni i botës shënoi dy gola dhe u shpreh i lumtur për paraqitjen e tij.
Dha provën më të madhe, pa më të madhin në fushë. Kampionia e Spanjës vonoi një javë, por kur u shfaq e bëri në mënyrën më të shkëlqyer të mundshme, madje me yjet kryesorë Lionel Mesis e Luis Suarez në tribunë.
Heroi i mbrëmjes ishte Antoine Grizemann, që bëri debutimin e ëndërruar në La Liga në “Camp Nou” si lojtar “blaugrana”, duke shënuar dy gola, e duke u treguar një udhëheqës i vërtetë. Barça mundi Betisin 5-2, edhe pse u ndodh në dizavantazh.
Tifozët padyshim e kanë harruar mërinë e tyre me francezin, pasi kur një lojtar e bën ekipin e zemrës që të fitojë, gjithçka lihet pas. Jo më kot, drejtuesit katalanas shpenzuan gati 120 milionë euro për ta marrë kampionin e botës, i cili u duk sikur tha se “çfarë e doni Neymarin, kur më keni mua”.
“Pas humbjes me Bilbaon pati shumë komente dhe ne duhej të jepnim një përgjigje, – tha sulmuesi, – sikur u zgjuam pas golit të pësuar dhe luajtëm një ndeshje të madhe. Ishim të lumtur në fushë dhe shpresoj që të vazhdojmë kështu. Goli im i dytë ishte i frymëzuar nga Mesi”.
Gazeta “Marca” e Madridit arriti deri aty sa të bënte një krahasim që duket si sakrilegj. “Griezmann ishte Mesi”, – titulloi ajo, – përcaktues dhe vendimtar në mungesë të argjentinasit, që u kënaq duke shikuar ndeshjen në tribunë.
Karles Perez shënoi golin e tretë, Jordi Alba të katërtin dhe Arturo Vidal thelloi avantazhin në 5-1. Fekir kishte shënuar më parë për Betisin dhe Moron realizoi rrjetën më të bukur të mbrëmjes në fund.
Gazeta katalanase “Sport” titulloi e lumtur: U ngritën në fluturim! Dygolësh i Griezmannit, një ndeshje e madhe!
“Festival Griezmann, – shkruajti “El Mundo Deportivo”, – francezi fitoi zemrat e tifozëve, duke udhëhequr një Barçë të madhe, dy gola e një asist”!
Pati pak lavdi edhe për 16-vjeçarin Ansui Fati. Lojtari i akademisë hyri në lojë në minutën e 78-të, duke u bërë lojtari i dytë më i ri që debuton për Barcelonën në histori. Ai madje thuajse nuk shënoi, gjë që do të kishte qenë nisja perfekte./ABC News Albania 24/7