Greva e urisë në Ballsh, Dautaj: Dalim vetëm për të biseduar! Nuk negociojmë pagat e prapambetura

schedule12:00 - 8 Nëntor, 2020

schedule 12:00 - 8 Nëntor, 2020

Kreu i Sindikatës së Naftëtarëve Sokol Dautaj ka deklaruar për ABC shkaqet e marrjes së vendimit për të dalë nga greva e urisë për dy orë për të biseduar me kryeministrin Edi Rama. Dautaj tha se duke parë një heshtje totale ndërkohë që situata po agravonte u detyruan të merrnin një vendim të tillë. Ai thotë se pika e parë e kërkesave janë pagat e prapambetura ndërkohë që fati i rafinerisë mbetet për t’u negociuar.

“Duke parë që greva e urisë për një kohë të gjatë nuk e ka arritur qëllimin e saj për të gjetur një zgjidhje. Duke parë një heshtje totale pas agravimit të situatës, u diskutua me palët dhe u pa e arsyeshme që ne ta dëgjojmë kryeministrin meqë ai ka thënë se qeveria është e juaja. Reagime ka pasur. Nuk e kishim parë të arsyeshme se ne kërkonim garancinë tonë për t’u ulur. Kolegët kanë punuar në kushte tejet rënda. Kemi të bëjmë me gazra dhe naftë. Është një kohëzgjatje e paprecedentë për të mos ulur palët në tavolinë.

Prej 4 vitesh ne kemi marrë një premtim nga kryeministri që pagat do të jepeshin. Ne kemi kërkuar një zgjidhje të drejtë dhe jo lëmoshë. Pastaj se çfarë do bëhet për fatin e punës në rafineri mbetet për t’u parë. Pika e parë e kërkesave është paga jonë.  Shpresojmë të arrihet një marrëveshje finale. Na lanë shumë detyrime dhe ne u bëmë mosbesues edhe ndaj qeverisë. Sot jemi në grevë urie dhe kemi kërkuar një garanci nga shteti që pas një periudhe të shkurtër të mos gjendemi sërish në grevë”, shprehet Dautaj./mv.abcnews.al