Greqia ka në plan të zgjerojë me të paktën 12 milje ujërat e saj territoriale. Në një intervistë radiofonike, ministri i Jashtëm Jorgos Katrugalos ka deklaruar se procesi do të nisë brenda kësaj vere, duke filluar me detin jon.
Greqia e ka marrë vendimin politik që t’i zgjerojë në 12 milje ujërat e veta territoriale duke filluar nga deti Jon, ka deklaruar ministri i jashtëm grek Jorgos Katrougalos. Katrougalos e ka ndërlidhur zbatimin e këtij vendimi, me negociatat që po zhvillohen Athina me Romën dhe Tiranën për zonat ekskluzive ekonomike.
“Ky është një vendim politik që kemi marrë dhe bën pjesë në prioritetet tona kryesore. Kjo do të zmadhojë Greqinë dhe nga ana tjetër do të na lehtësojë në mënyrë të konsiderueshme negociatat që kemi me Italinë dhe Shqipërinë, mbi përcaktimin e zonave ekonomike ekskluzive”, tha ai.
Në një intervistë për radion “News 24/7”, i pyetur nëse zgjerimi i ujërave territorialë do të bëhet brenda kësaj vere, Katrougalos është përgjigjur:
“Deri në verë, po. Ky është një parashikim realist”.
Për analistët grekë, pohimi i ministrit të Jashtëm dhe deklarata e kryeministrit Edi Rama se me Greqinë po negociohet për kufirin detar, tregon se mund të priten zhvillime së shpejti në këtë temë. Athina synon të marrë konsensusin e palës shqiptare për zgjerimin me 12 milje, në disa zona ku nuk preken interesat e Shqipërisë, vë në dukje gazeta “Kathimerini”, e njohur për aksesin e vet në burimet diplomatike greke.
Në intervistën e tij, ministri i Jashtëm grek nuk ka pranuar të japë detaje, por ka thënë se “është kryer shumë punë në nivelin kartografik, me qëllim që të garantohen tërësisht interesat kombëtarë të Greqisë, por dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”. Katrougalos ka shtuar që zgjerimi i ujërave territoriale do të fillojë në detin Jon dhe pastaj do të vazhdojë edhe në zona të tjera. Mirëpo ka theksuar:
“Pikërisht ngase prioriteti ynë ka të bëjë me zonat ekskluzive ekonomike me Shqipërinë dhe Italinë, po fillojmë në detin Jon”./abcnews.al