Greqia pakt 4-pikësh Shkupit për zgjidhjen e “emrit”

schedule21:11 - 30 Janar, 2018

schedule 21:11 - 30 Janar, 2018

Qeveria greke ka thuajse gati paktin që do t’i propozojë Shkupit për zgjidhjen e çështjes së emrit. Në një deklaratë për mediat, ministri i Jashtëm helen, Nikos Kotzias, ka deklaruar se pala maqedonase mund të bëjë propozimet e saj.

Greqia i ka propozuar një pakt me 4 pika Maqedonisë për të tejkaluar përplasjet mbi çështjen e emrit. Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias ka deklaruar se pakti është në hartim e sipër dhe fillimisht do t’i dorëzohet qeverisë greke e më pas asaj në Shkup.

“Marrëveshja nuk do të jetë e tipit “merr ose lër””, ka thënë Kotzias, i cili ka shtuar se pala maqedonase e ka një ide mbi përmbajtjen.

“Natyrisht, Shkupi do të ketë shansin të ofrojë propozimet e tij, si dhe ndryshimet që mund t’i bëhen draftit”, ka thënë më tej shefi i diplomacisë helene. Ai ka shtuar se përmbajtjen e ofertës ia ka bërë të ditur edhe ndërmjetësit të OKB-së, Matthew Nimetz, i cili po viziton Athinën.

Ky i fundit, nga kryeqyteti helen ka deklaruar se është koha e duhur që palët të arrijnë një marrëveshje për zgjidhjen e çështjes së emrit.

“Ka patur disa ide, por unë nuk mendoj se duhet të bëhen publike. Javët që do të vijnë do të shërbejnë për konsultime. Të shohim se ku do të shkojmë dhe atëherë do të vlerësojmë situatën”, ka thënë Nimetz./abcnews.al