Greqia në “ferr”, rritet numri i të vdekurve

schedule17:04 - 24 Korrik, 2018

schedule 17:04 - 24 Korrik, 2018

Sa vjen e rëndohet bilanci i viktimave të zjarreve masive që kanë rrethuar Athinën. Të dhënat zyrtare flasin për 74 të vdekur në veri-lindje të kryeqytetit grek dhe 556 të plagosur, nga të cilët 16 në gjendje të rëndë.

Por kryebashkiaku i lokalitetit të Rafinës, Evangelos Bournos ka paralajmëruar se viktimat mund të jenë mbi 100. Sipas zyrtarit, shtëpitë e shkatërruara nga flakët janë rreth 1.500 dhe çuditërisht, ka nënvizuar ai, nuk ka ardhur asnjë urdhër evakuimi. Ndërkohë, mijëra persona të tjerë janë evakuuar.

Qyteza e Matit, më e prekura nga zjarret, është mbuluar nga hiri që ka arritur deri në kryeqytet. Trupat e viktimave janë gjetur në vende të ndryshme. Në një shtëpi, anëtarët e familjes, prindërit dhe dy fëmijët u gjetën me trupat të shkrumbuar, por të përqafuar.

Ndërkohë, një grup prej 26 personash janë gjetur të përvëluar në majë të një shkëmbi, në përpjekje për t’u shpëtuar flakëve. Shumë prej banorëve të lokalitetit turistik kanë vërshuar drejt detit, por as atje nuk kanë gjetur shpëtim. Të paktën 5 trupa të pajetë janë rekuperuar në brigjet e Rafinës, ndërkohë që Roja Bregdetare u ka ardhur në ndihmë të paktën 700 personave të tjerë.

“Kjo që po ndodh nuk do të kalojë pa marrë përgjigje”, ka deklaruar ndërkohë kryeministri Alexis Tsipras, i cili ka hedhur dyshime se zjarret kanë qenë të qëllimshme, nisur nga fakti se në 24 orë janë regjistruar 47 vatra.

Disa media greke spekulojnë se zjarrvënësit kanë hyrë në veprim për të plaçkitur shtëpitë e braktisura nga turistët, ndërsa të tjera flasin për zjarrvënie të qëllimshme me qëllim nxitjen e ndërtimeve abuzive./abcnews.al