Tre ditë para zgjedhjeve vendore në Greqi, autoritetet policore kanë shoqëruar e me pas ka liruar kryetarin e Bashkisë së Mesolongjit, Panajotis Kaculis. Ai u dërgua dhe u mbajt në paraburgim, menjëherë pas përfundimit të fjalimit të tij parazgjedhor që organizoi të mërkurën.
Referuar mediave vendase, autoritetet policore morën një denoncim pasi leja e dhënë për fjalimin parazgjedhor të kandidatit dhe ish-kryetarit të bashkisë së Mesolongjit ishte për ditën e enjte dhe jo për të mërkurën, kur përfundimisht u organizua.
Pasi u lirua nga ambientet e paraburgimit akuzoi kundërshtarët e tij për cenimin e lirisë së fjalës.
“Unë pranoj që kam shkelur datën e paracaktuar për tubimin. Në asnjë mënyrë nuk do i drejtohem apo do të ankohem për policinë. Mirëpo kam shumë vërejtje ndaj çdokujt, cilido qofshin apo cilitdo përfaqësojnë, që në kushte demokracie, kërkojnë nëpërmjet korridoreve të nëndheshme, të ndalojnë shprehjen e lirë dhe vullnetin e qytetarëve. Arrestimi ishte i ligjshëm por u krye në kushte ku, për fat të keq, tre ditë para zgjedhjeve, ka shkatërruar çdo koncept të legjitimitetit në këtë bashki.”
Panajotis Kaculis ka qenë Kryetar i kësaj Bashkie në periudhën 2011-2014, si dhe ka mbajtur një sërë pozitash këshilluese në prefekturën e Mesologjit./abcnews.al