Kreu i “Demokracisë së Re”, Qiriakos Micotaqis është betuar si kryeministri i ri i Greqisë pas fitores në zgjedhjet e parakohshme të së dielës. Ai u betua në presidencë mbi Biblën e më pas u drejtua në zyrën e kryeministrit në largim Aleksis Tsipras, i cili i dorëzoi detyrën. Ndërkohë, pasditen e së hënës u shpall dhe qeveria e re.
Qiriakos Micotaqis është betuar si kryeministri i ri i Greqisë dhe te merkuren zyrtarizon kabinetin e tij qeveritar. Rezultatet përfundimtare të votave që u shpallën mesditën e së hënës konfirmuan fitoren bindëse të konservatorëve që rikthehen në pushtet pas katër vitesh e gjysmë. Demokracia e Re ka fituar 39,85% të votave dhe merr 158 vende në Parlament, ndërsa Syriza e Aleksis Tsipras 31,5% dhe 86 vende.
Duke dalë nga pallati presidencial, pas kryerjes së betimit, Micotaqis deklaroi se populli i dha partisë së tij një mandat të fuqishëm për të ndryshuar Greqinë.
“Nga sot fillojmë punën fort. Kam besim të plotë në kapacitetet tona që të qëndrojmë në lartësinë e detyrës”, u shpreh kryeministri i ri grek.
Ndërkohë, pasditen e së hënës u shpall edhe përbërja e qeverisë. Kabineti përbëhet nga 17 ministri dhe ka 51 anëtarë, ministra, zëvendës ministra dhe sekretarë shteti. 21 pjesëtarë të qeverisë nuk janë marrë më parë me politikë dhe mjaft prej tyre lanë postet akademike apo në sektorin privat për t’iu bashkuar përpjekjes së Micotaqis.
Në postin e ministrit të Financave është emëruar Kristos STAIKURAS, ndërsa ministër i Jashtëm Nikos DENDIAS. Në krye të Ministrisë së Mbrojtjes së Qytetarit, të cilës i është bashkuar edhe Ministria e Emigracionit, do të jetë Mihalis KRISOHOIDHIS, i cili ka shërbyer në gjithë qeveritë e PASOK-ut pas vitit 2000.
Ndërkohë, ministër i Mbrojtjes do të jetë Nikos PANAJOTOPULOS. Qeveria e re betohet të martën në mesditë dhe mbledhja e parë e kabinetit të ri do të zhvillohet të mërkurën. Ajo do të funksionojë sipas modelit të kancelarisë gjermane./ABC News Albania 24/7
/ABC News Albania 24/7