Greqi, sektori privat zhvillon 24 orë grevë

schedule17:21 - 28 Nëntor, 2018

schedule 17:21 - 28 Nëntor, 2018

Sektori privat në Greqi zhvillon sot një grevë 24-orëshe në të gjithë vendin. Ata kundërshtojnë shkurtimet në pensione dhe reformën e punës. Gjatë ditës priten dhe protesta paqësore.

Sindikata më e madhe e sektorit privat të Greqisë “GSEE” po zhvillon një grevë 24 orëshe kundër shkurtimeve të planifikuara të pensioneve dhe kërkon ndryshimin e reformave të punës të zbatuara në kuadrin e paketës së tretë të shpëtimit të vendit që skadoi në gusht. Kërkesat e GSEE përfshijnë rritjen e pensioneve, uljen e taksave dhe rikthimin e pagës minimale në nivelin e para masave shtrënguese prej 751 eurosh, nga 580 euro sa është aktualisht.

Të gjitha këto ishin premtuar nga partia qeverisëse SYRIZA para fitores së parë elektorale në janar të 2015-s. Megjithatë, strategjia e saj negociuese shpejt e çoi vendin në prag të falimentimit dhe daljes nga grupi i vendeve evropiane që përdorin monedhën euro. Si rezultat, kryeministri Alexis Tsipras ishte i detyruar të vendoste rritje të taksave të reja dhe ulje të shpenzimeve për të siguruar një tjetër marrëveshje shpëtimi.

Të gjitha shërbimet e trenave dhe të trageteve janë anuluar të mërkurën për shkak të grevës, ndërsa shumica e transportit public në Athinë – duke përfshirë lidhjet hekurudhore të aeroportit – do të jenë jashtë veprimit. Dy tubime të veçanta proteste do të mbahen gjatë ditës, me policinë që ëshstë përgatitur për dhunë të mundshme. Megjithëse anëtarët e sindikatave në përgjithësi janë të rregullt gjatë protestave të tilla, demonstruesit shumë të majtë dhe anarkistët shpesh rrëmbejnë demonstrimet, duke përfituar nga mbulesa e ofruar nga turma për të vandalizuar pronën dhe për të sulmuar policinë me bomba Molotov dhe gurë. Gazetarët grek pezulluan punën për 24 orë të martën. Greva e tyre u mbajt një ditë më parë për të lejuar mbulimin mediatik të grevës kryesore. Ndërsa të mërkurën gazetat nuk u shtypën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!