Greqi, qytetarët revoltohen ndaj ministrit: Ju i latë qytetarët të digjeshin

schedule12:16 - 26 Korrik, 2018

schedule 12:16 - 26 Korrik, 2018

Vizita e ministrit të Mbrojtjes të Greqisë në zonën e shkrumbuar nga zjarri në rajonin e Atikës është shoqëruar me momente të shumta tensioni. Qytetarë të shumtë të revoltuar kanë akuzuar Kamenos për neglizhencë.

Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Panos Kamenos ka vizituar zonën e shkrumbuar nga zjarri në rajonin e Atikës. Ndërsa gjendej në terren, ai është përballur me revoltën dhe zemërimin e qytetarëve, shumë prej të cilëve kanë humbur të afërmit e tyre në fatkeqësinë që gjunjëzoi disa qyteza turistike.

“Ju na latë në mëshirë të fatit. Pse nuk na evakuuat, pse u mbyll maratona e operacioneve të kërkim-shpëtimit?”, u shpreh një qytetar.

Ndërsa më tej shtoi se nuk ishte asnjë zyrtar që të ndihmonte popullsinë.

“Kjo është ajo që thoni ju dhe mediat”, u përgjigj shkurtimisht Kamenos duke u munduar të qetësojë situatën.

Ndërsa më tej ministri i mbrojtjes tha për BBC se fatkeqësia me zjarrin është përkeqësuar për shkak të ndërtimeve të paligjshme. Duke ecur në zonën e shkrumbuar në qytezën Mati, ai u has përsëri me zemërimin e disa banorëve të tjerë.

Duke ecur në zonën e shkrumbuar, ministri grek i Mbrojtjes u has përsëri me zemërimin e disa banorëve të tjerë.

“Ju i latë njerëzit të digjeshin. Pse nuk u evakuuam?”, u shpreh qytetari.

Një zonjë tregon se vetëm në minutën e fundit arriti të shpëtonte djalin dhe burrin e saj.

“Lagja ime është e shkrumbuar”, tha ajo në mënyrë të dëshpëruar.

Pak minuta më vonë, Kamenos u përball përsëri me zemërimin e banorëve.

Kësaj here ishte një vajzë, e cila në lotë, i drejtohet ministrit duke thënë:

“Kanë humbur jetën djemë 20 vjeçë. Kemi parë shumë trupa të pajetë. Nuk ka mbetur asgjë, e gjitha është djegur. Na është kërkuar që të hidheshim në detë për të shpëtuar. Por si mund t’i thuash një të moshuari që të hidhet?”.

Ndërkohë, ajo më tej shpjegon se anijet dhe rojet bregdetare qëndruan shumë larg bregut, dhe njerëzit duhej të notonin për të shpëtuar. Ndërsa Kamenos tenton të qetësojë përsëri situatën duke thënë se në ndihmë të popullsisë u angazhua anije, helikopterë dhe pjestarë të shumtë të zjarrëfikësve dhe anëtarë të mbrojtjes civile./abcnews.al