Greqi, opozita paraqet mocion mosbesimi për Tsipras

schedule12:42 - 15 Qershor, 2018

schedule 12:42 - 15 Qershor, 2018

Qeveria e kryeministrit grek, Aleksis Tsipras, po përballet me një mocion mosbesimi të kërkuar nga opozita për shkak të marrëveshjes për emrin me Shkupin. Madje , Agimi i Artë shkon edhe më tej, duke kërkuar arrestimin e Tsipras, ministrit të Mbrojtjes dhe presidentit të vendit.

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, rrezikon shumë me marrëveshjen për emrin me Maqedoninë. Kreu i partisë kryesore opozitare, Demokracia e Re, Kyriakos Mitsotakis, ka dorëzuar në parlament një mocion mosbesimi për ekzekutivin e Athinës.

“Qeveria ka humbur prej kohësh besimin e popullit grek dhe nuk është në gjendje të mbrojë interesat kombëtare”, ka thënë kryekonservatori Mitsotakis duke iu referuar marrëveshjes për emrin e Maqedonisë, të cilën e quajti të dëmshme për vendin.

Seanca 3-ditore ka filluar mbrëmjen e së enjtes dhe do të përfundojë ditën e shtunë në darkë. Mocioni i mosbesimit do të pranohet vetëm nëse aprovohet nga të paktën 151 prej 300 deputetëve të parlamentit grek, ndërkohë që partitë aleate në qeveri, Syriza dhe Grekët e Pavarur kanë një shumicë prej 153 deputetësh.

Nëse nuk kalon, dhe për këtë kryeministri Tsipras është i sigurtë, opozita nuk do të ketë të drejtë të sjellë përsëri një mocion të ri për 6 muaj. Megjithatë ende nuk është i qartë qëndrimi i të gjithë deputetëve të partisë Grekët e Pavarur, pjesë e qeverisë. Kjo forcë politike nuk është e bashkuar sa i përket mbështetjes së marrëveshjes me Shkupin.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit kërkoi përjashtimin e përkohshëm të partisë neo-naziste Agimi i Artë nga parlamenti, për shkak të komenteve të bëra nga një deputet I tyre. Constantinos Barbarousis, duke dënuar marrëveshjen me Maqedoninë, kërkoi arrestimin e kryeministrit Tsipras, ministrit të Mbrojtjes, Panos Kammenos dhe presidentit Prokopis Pavlopoulos. Këto deklarata janë vlerësuar nga kryeparlamentari grek si thirrje të hapur për grusht shteti./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!