Greqi, nis varrimi i viktimave të zjarreve

schedule09:11 - 29 Korrik, 2018

schedule 09:11 - 29 Korrik, 2018

Këtë fundjavë nis në Greqi varrimi i viktimave të zjarreve që përfshinë rajonin e Atikës. Banorët e zonave të shkrumbuara nga flakët janë të irrituar me kryeministrin Tsipras, ndërsa opozita ka rritur presionin ndaj tij.

Greqia do të nisë këtë fundjavë varrimin e viktimave të zjarreve shkatërruese në lindje të Athinës, që vranë disa dhjetëra persona e që kanë ndezur një sërë debatesh politike mbi përgjegjësinë e qeverisë. Ditën e dielë, tre anëtarë të një familjeje do të varrosen në atë që do të jetë varrimi i parë zyrtar që nga rënia e zjarrit të hënën e kaluar, në qytetin bregdetar të Matit, 30 kilometra në lindje të kryeqytetit.

“Do t’u themi lamtumirë të dashurve tanë Grigoris, Evita dhe Andreas”, ka thënë familja Fitrou në një deklaratë të publikuar në një agjenci lajmesh, ku u kërkon mediave të mos jenë të pranishme.

Ndërkohë, kërkimet për të zhdukukrit dhe puna për identifikimin e të ndjerëve vazhdojnë. Binjaket 9-vjeçare Sofia dhe Vasiliki Filipopulu, fotot e të cilave bënë xhiron e botës, të shtunën janë konfirmuar të vdekura. Testet e ADN-së tregojnë se vajzat dhe gjyshërit e tyre humbën jetën në zjarrin që përfshiu Matin.

Ndërkohë, gjatë së shtunës zona është përfshirë nga reshje të dendura, që kanë shtuar frikën se përpjekjet e ekipeve të shpëtimit dhe banorëve për të shpëtuar atë çka ka mbetur nga zjarri do të hasin vështirësi. Ndërkohë, në vend kanë vijuar kritikat ndaj kryeministrit Alexis Tsipras.

Të mbijetuarit e tragjedisë dhe kundërshtarët politikë e kanë akuzuar atë për arrogancë për faktin se nuk u kërkoi falje qytetarëve, por vetëm mori përsipër përgjegjësinë politike.

“Si mendon ai ta shlyejë këtë përgjegjësi? Ç’do të thotë përgjegjësi politike”, ka deklaruar një burrë 79-vjeçar i ulur përpara shtëpisë së tij të djegur.

Nga ana tjetër, opozita helene ka kërkuar sërish dorëheqjen e qeverisë, me argumentin se dështoi në mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe me pyetjet përse nuk u zbatua një plan evakuimi. Ndërkohë, nënkryetari i bashkisë së Maratonës, një lokalitet që u prek nga zjarri, është bërë të shtunën i pari zyrtar që jep dorëheqjen për shkak të tragjedisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!