Greqia është përfshirë nga një grevë e përgjithshme, e cila ka paralizuar vendin. Protestuesit kundërshtojnë masat e reja shtrënguese të miratuara nga qeveria, mes të cilave rritja e taksave dhe reduktimi i pensioneve.
Pikat e kalimit kufitar me Greqinë nuk do të funksionojnë për 24 orë për shkak të grevës së përgjithshme që ka paralizuar vendin. Autoritetet në Kapshticë konfirmuan se puna është ndërprerë në orën 07:00 të së mërkurës, e do të rifillojë pas 24 orësh, të enjten e 31 Majit. Bëhet e ditur se gjatë këtyre orëve nuk do të lejohet kalimi i mjeteve, por vetëm kalimi i këmbësorëve. Por të bllokuara do të jenë dhe pikat e tjera kufitare me Greqinë, në Kakavijë dhe Tre Urat.
Sindikata e punonjësve të ministrisë së Financave të Greqisë, njoftoi se do t’i bashkohet thirrjes së sindikatave të pavarura të Greqisë, në grevën e përgjithshme që ka përfshirë vendin fqinj. Sipas sindikatës, në grevë do të marrin pjesë edhe doganierët, ndaj gjatë datës 30 Maj, pritet të pezullohen të gjitha kalimet e automjeteve dhe kamionëve në pikat kufitare të Greqisë me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Turqinë, ndërsa me Bullgarinë lëvizja e autoveturave do të lejohet, por jo e kamionëve.
Greva do pezullojë lëvizjen në porte dhe aeroporte, si dhe spitalet dhe shërbimet civile. Edhe mjekët thanë se do të protestojnë, ndërsa mjetet e transportit publik do të pezullojnë lëvizjen.
Protestuesit kundërshtojnë masat shtrënguese të aprovuara nga qeveria e kryeministrit Tsipras. Që nga fillimi i krizës financiare që gjunjëzoi vendin në 2009-n, Greqia ka marrë 260 miliardë euro në formë kredie në shkëmbim të implementimit të masave shtrënguese në sektorin publik, ngritjen e taksave dhe reduktimin e pensioneve. Edhe gazetarët i janë bashkuar kësaj greve duke anuluar edicionet e lajmeve./abcnews.al