Autoritetet në Greqi vijojnë betejën me zjarret që kanë përfshirë zona të ndryshme të vendit. Më problematike situata paraqitet në gadishullin e Eubesë, ku po shkrumbohet një masiv pyjor dhe në rajonin e Peloponezit.
Greqia po përballet të martën me vatra të shumta zjarresh, në zona të ndryshme të vendit. Zjarri më i madh ka shpërthyer në orët e para pas mesnate në gadishullin e Eubesë. Ndër të tjera po digjet një park pyjor që është përfshirë në programin evropian Natura, për mbrojtjen e florës dhe faunës. Fuqia e zjarrit është e tillë, saqë retë e tymit kanë mbërritur deri në kryeqytetin Athinë.
Në mesditë, dy fshatra pranë vatrës së zjarrit u evakuan me urdhër të shërbimit të mbrojtjes civile. Puna e zjarrfikësve është mjaft e vështirë për shkak të terrenit të thyer, por edhe erërave që e kanë shtuar fuqinë tyre. Dy zjarre të tjera, në rajonin e Tebës dhe në zonën e Pogonit, pranë kufirit me Shqipërinë, ende nuk po vihen nën kontroll.
Në zonën e Atikës, autoritetet kanë ndaluar qarkullimin e automjeteve dhe të njerëzve në zonat pyjore dhe ato bregdetare të pyllëzuara, ku ka rrezikshmëri më të lartë zjarri për të martën dhe ditët e ardhshme.
Që prej disa ditësh Greqia po ndeshet me një valë zjarresh, disa prej të cilëve kanë qenë shkatërrues. Në rajonin e Peloponezit u dogj 25 për qind e sipërfaqes së ishullit Elafonisos, ndërkohë që shumica e turistëve vendas e të huaj janë larguar tashmë. Niveli i shkatërrimit në Elafonisos dallohet qartë edhe në fotografinë nga sateliti Centinel që publikoi rrjeti evropian Kopernikus./ABC News Albnia 24/7