Greqi, dhunë në protestën kundër Marrëveshjes së Prespës

schedule18:20 - 20 Janar, 2019

schedule 18:20 - 20 Janar, 2019

Akte dhune janë verifikuar të dielën në Athinë, ku dhjetëra mijëra qytetarë kanë protestuar kundër marrëveshjes së Prespës me Shkupin. Me flamujt bardheblu në duar, manifestuesit kanë ngritur parullën “Maqedonia është Greqi”.

Policia në Athinë ka qëlluar gaz lotësjellës për të shpërndarë protestuesit të mbledhur të dielën jashtë Parlamentit për të kundërshtuar marrëveshjen e emrit me Maqedoninë. Qendra e kryeqytetit helen u kthye në një det njerëzish, një pjesë e të cilëve mbërritën nga i gjithë vendi për të protestuar kundër marrëveshjes. Shumë qytetarë grekë besojnë se emri “Maqedoni” hap rrugë për pretendime territoriale ndaj vendit të tyre, konkretisht ndaj një rajoni të Greqisë që mban të njëjtin emër. Marrëveshja, e nënshkruar nga dy qeveritë, zhbllokon rrugën e anëtarësimit në BE dhe NATO të ish-republikës jugosllave. Ajo duhet të ratifikohet nga parlamenti grek, pas ratifikimit nga ai maqedonas. “Nuk mund ta kapërdijmë këtë marrëveshje. Nuk mund ta lëshojmë Maqedoninë, ajo është historia jonë”, deklaroi një protestuese 67 vjeçe që ngrinte flamurin bardheblu grek. “Maqedonia është greke”, tha një tjetër manifestues. Organizatorët e protestës thanë se ajo ishte më e madhja në dekada, më e madhe madje se protestat kundër masave anti-krizë. Çështja e emrit të fqinjit verior ngjall ndjenja të forta mes grekëve, që e konsiderojnë Maqedoninë, mbretërinë e lashtë të udhëhequr nga Aleksandri i Madh, pjesë integrale të territorit të tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!