Marshimi përkujtimor në nder të revoltës studentore të 73-shit në Athinë është shoqëruar me akte dhune. Të rinjtë kanë sulmuar me gurë dhe bomba molotov policinë, e cila është përgjigjur me gaz lotësjellës.
Policia greke është përleshur pasditen e së shtunës me të rinjtë në qendër të Athinës, ku mijëra vetë marshuan për në përkujtim të revoltës studentore të vitit 1973, që çoi në rrëzimin e diktaturës ushtarake. Mbi 10 mijë demonstrues përshkuan në mënyrë paqësore akset kryesore të kryeqytetit helen, ku masat e sigurisë ishin shumë të larta. Ata mbanin në duar parulla me shkrimin “Rezistencë” dhe të tjera në lidhje me krizën financiare që për 8 vjet rresht drobiti Greqinë.
Marshimi përfundoi tek selia e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, të cilat grekët i akuzojnë se mbështetën diktaturën ushtarake të viteve 1967-1974. Por në përfundim të marshimit shpërthyen trazirat, me protestuesit që hodhën gurë dhe bomba molotov ndaj forcave të policisë pranë Politeknikut të Athinës, ku shumë të rinj mbetën të vrarë në vitin 1973. Ndërsa të tjerë ngritën barrikada me karrike dhe sulmuan forcat e rendit nga tarracat e pallateve. Nga ana e saj policia u detyrua të reagonte me gaz lotësjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmën./abcnews.al