“Grua, jetë, liri” Këto tre fjalë kanë qenë slogani i protestave ndaj vdekjes së padrejtë të 22-vjeçares iraniane, Mahsa Amini.
E ndjera ndërroi jetë pak ditë më parë pasi u ndalua nga policia në kryeqytet me justifikimin se nuk kishte vendosur hixhabin, duke mos respektuar kështu kodin e veshjes sipas ligjit.
Sot, gratë e Iranit dhe nga e gjithë bota, të revoltuara nga gjithë çfarë ka ndodhur kanë vendosur të presin flokët e gjatë publikisht- si një formë rebelimi, proteste si dhe për të treguar solidaritet me tragjedinë.
Policia pretendon se vajza ndërroi jetë si pasojë e një ataku kardiak, por nga skanerët dhe analizat e kryera rezultoi se Amini ka marrë plagë të rënda që i kanë shkaktuar trauma në tru.
Protestat nisën fundjavën e kaluar, por duket se nuk kanë ndërmend të shuhen derisa qëllimi dhe drejtësia të shkojë në vend. Autoritetet iraniane kanë arrestuar protestues si dhe kanë vrarë disa të tjerë. Rrjetet sociale, platformat dhe kanalet e ndryshme të komunikimit përfshi këtu WhatsApp janë ndaluar nga qeveria.
Kjo e fundit ka shkëputur gjithashtu linjën e internetit me qëllim ndalimin e tubimeve dhe revoltës së popullit. Prerja e flokëve është bërë simbol solidarizimi jo vetëm në Iran, por në shumë vende të botës ku jetojnë ata.
Gjatë një proteste në Stamboll, një grua iraniane që jetonte atje, është parë duke prerë bishtin e saj e rrethuar nga shumë gra të tjera që protestonin bashkë me të. Një pjesë e mirë e grave dhe vajzave kanë ndarë në rrjete sociale videot teksa presin flokët e tyre shoqëruar me hashtag-un “ti nuk do të jesh kurrë vetëm”.
/abcnews.al