Gratë fuqizohen në biznes/ Hako: Janë vendimmarrëse të suksesshme dhe kanë guxim të admiruar

schedule14:35 - 8 Mars, 2024

schedule 14:35 - 8 Mars, 2024

TIRANË– Gratë dhe vajzat në Shqipëri tregojnë se kanë një aftësi të jashtëzakonshme në menaxhimin dhe drejtimin e sipërmarrjeve. Sipas statistikave, rreth 32% e ndërmarrjeve në vend sot drejtohen nga gratë.

Kryetarja e Dhomës Ekonomike të Gruas, Antonela Hako, në “Money Report” u shpreh se tashmë kanë rënë tabutë, të cilat etiketonin vajzat dhe gratë pa përvojën e duhur për të menaxhuar ndërmarrje të mëdha apo të mesme.

“Gratë kanë qenë të përfshira në biznes, thjesht në statistika shënohen emrin e atij që ka vendosur emrin në administrim. Unë u siguroj, që gratë kanë qenë prezente edhe si CEO dhe si drejtuese të drejtpërdrejta të kompanive, por dhe si drejtuese në pikat kyçe në ndërmarrjet e mëdha dhe të mesme. Gratë marrin vendime të guximshme dhe më largpamëse. Gratë dhe vajzat duhet të përfshihen sa më shumë në biznes dhe në vendimmarrje. Gruaja është vënë re, që jo vetëm mund ta fitojë rolin në vendimmarrje, sepse e meriton se ka shkollimin dhe nivelin e duhur”, tha ajo.

Ajo shtoi se gratë shqiptare janë shumë të afta për të qenë drejtuese, ndërsa shtoi se në shumë raste historia ka dëshmuar se vendimet e marra prej tyre kanë që më largpamëse në krahasim me meshkujt.

“Gratë janë shumë të afta për të qenë drejtuese. Kemi patur tabu, si për shembull te kompanitë e ndërtimeve, në fushën e IT kishim më shumë djem, tani vajzat janë më të përfshira dhe kanë nisur rrugën e karrierës. Nuk ka tabu më për këtë gjë. Limiti i inteligjencës nuk ka gjini dhe dëshira për të ecur para dhe egoja pozitive që t’i të kesh karrierë, nuk kanë gjini”, shtoi ajo./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!