Në Korçë shifrat zyrtare tregojnë për rritje të dhunës në familje. Në një takim midis bashkisë dhe aktorëve të tjerë u kërkua bashkëpunim i ngushtë për të mbrojtur familjet nga dhuna.
E njohur për tolerancë, kryesisht ndaj grave, në shifra Korça nuk rezulton kështu. Rregjistrimi i rasteve të dhunës në familje tregon për një situatë të ashpër në këtë zonë.
106 gra dhe vajza gjatë këtij viti, sipas të dhënave, që u bënë të ditura gjatë mbledhjes së komisionit multidisiplinor, denoncuan në polici dhunuesit e tyre, duke u pajisur me urdhra mbrojtje.
Gjashtë prej grave, që i mbijetuan dhunës, së bashku me fëmijët e tyre, janë strehuar në qendrën e ngritur për trajtimin e rasteve të tilla dhe 8 gra kryefamiljare përfituan nga bonusi i strehimit i bashkisë.
Sotiraq Filo,kreu i bashkisë Korçë: “Për vitin 2019 bashkia ka parashikuar një fond dedikuar viktimave të dhunës në familje prej 430 mijë lekë të reja dëshmi e angazhimit të bashkisë. Kemi pasur raste të bashkëpunimit të bashkisë të Korçës dhe bashkive të tjera”.
Edhe pas ndryshimeve në ligjin kundër dhunës në familje,njerëzit e sistemit të drejtësisë evidentojnë problematika, sa i takon zbatimit të vendimeve në praktikë, për shkak të mungesës së infrastrukturës efiçente.
Admir Belishta, kryetar i gjykatës së shkallës së parë, Korçë: “Nga viti në vit ne shohim rritje të treguesve statistikorë, çka është bërë e ndjeshme dhe masat mbrojtëse që duhet të lëshojë gjykata dhe masat parandaluese”.
Bashkia kërkoi nga insitucionet e tjera,shtrirjen e fushatës sensibilizuese edhe në zonat rurale,duke fuqizuar mekanizmat parandalues dhe mbrojtës. Në Korçë mbetet imediate edhe ngritja e qendrave të trajtimit dhe rehabilitimit të përdoruesve të drogës dhe alkoolit, të cilët përbëjnë shumicën e të proçedurave për dhunë në familje. /abcnews.al