Hekurudha Vorë-Hani i Hotit/ Mete: Granti më i lartë i akorduar nga BE për Shqipërinë

schedule09:52 - 26 Korrik, 2024

schedule 09:52 - 26 Korrik, 2024

Qeveria shqiptare nënshkroi sot marrëveshjen me vlerë 136 milionë euro për rehabilitimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit. Granti më i madh i akorduar për një projekt investimi nga Bashkimi Europian, u firmos nga Ministri i Financave Ervin Mete, Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato dhe Shefja e BERZH-it në Shqipëri Ekatarina Solovova.

Fondet e akorduara ofrohen përmes kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe përmbyllin financimin për këtë projekt të rëndësishëm për ti hapur rrugë zbatimit të tij.

“Ky është granti më i lartë nga BE për Shqipërinë për projekte investimi. Plani i ri i Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor nga i cili Shqipëria pritet të përfitojë mbi 900 milionë Euro do të krijojë mundësi për financime të tjera në formën e granteve apo kredive të buta. Synimi është progresi i reformave dhe përshpejtimi i investimeve. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që këtë angazhim të ri të përbashkët, ta realizojmë me sukses brenda afateve ambicioze. Bashkëpunimi i shkëlqyer deri më sot na bën optimistë që kjo mundësi e re të bëhet realitet siç është dhe projekti që po firmosim sot.” Sinkron Mete

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Gonzato dhe Shefja e Bankës BERZH Ekatarina Solovova theksuan rëndësinë e këtij projekti strategjik që mundëson lidhjen e Shqipërisë me rrjetet hekurudhore rajonale por edhe me Bashkimin Europian, duke shtuar se do të mbështesë zhvillimin ekonomik të vendit.

“Lidhja e njerëzve është në thelb të idesë evropiane. Investimi më i madh i BE-së në Shqipëri deri më sot do të rilidhë shqiptarët brenda pjesës tjetër të rajonit dhe Evropës me tren. Linja hekurudhore e rinovuar do të nxisë udhëtimet brenda vendit, turizmin ndërkombëtar, si dhe do të mbështesë zhvillimin e përgjithshëm socio-ekonomik të Shqipërisë. Ajo do të reduktojë ndikimin mjedisor të transportit të mallrave dhe të pasagjerëve, falë elektrifikimit të linjës së re. Projekti mbështet tranzicionin e gjelbër të Shqipërisë, duke e bërë hekurudhën një mënyrë transporti më efikase dhe më miqësore ndaj klimës.” Sinkron Gonzato

“Ne jemi krenarë që jemi partnerë me Bashkimin Evropian për të përmirësuar rrjetin hekurudhor në Shqipëri. Ky projekt është një dëshmi e angazhimit tonë të përbashkët për të nxitur lidhje më të forta rajonale në Ballkanin Perëndimor dhe për ta sjellë atë më pranë BE-së. Duke investuar në infrastrukturën e gjelbër, ne po i hapim rrugën rritjes ekonomike dhe një të ardhmeje më të qëndrueshme”.

Hekurudha Vorë-Hani i Hotit do të ketë një gjatësi prej 120 kilometër e përbërë nga 12 stacione dhe do të jetë plotësisht e elektrifikuar. Projekti ka disa bashkëfinancues, 100 milionë euro janë kredi nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, 99 milionë euro hua nga Banka Europiane e Investimeve dhe pjesa tjetër grant i akorduar përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!