Grantet e para për Rindërtimin në Shijak, Rama: Komuniteti i banorëve të zgjedhë 3 përfaqësues

schedule12:34 - 16 Qershor, 2020

schedule 12:34 - 16 Qershor, 2020

Kryeministri Edi Rama u shpreh se qeveria do të paguajë një për një të gjithë banorët në nevojë për riparime të dëmeve të tërmetit. Shtatë muaj pas tërmetit të 26 nëntorit ka filluar dhënia e granteve të para në Shqipëri për Rindërtimin.

Në një konferencë online kryeministri u shpreh se modeli i Shijakut duhet të vlejë për të gjitha Bashkitë e tjera. Dhënia e granteve ka filluar me Shijakun ku 315 qytetarë kanë tërhequr fillimisht grantet për Rindërtimin sipas shkallës së përcaktuar nga ekspertët.

“Komuniteti i banorëve duhet të zgjedhë 3 përfaqësues. Një përfaqësues nga Bashkia për të ndjekur procesin, jo për të imponuar apo influencuar.

Vetë banorët të kenë sytë në proces dhe gjithë fondi i akorduar familje për familje të shpenzohet dhe të gjithë të dalin të fituar. Puna ka ecur shumë mirë dhe me komisionin e Këshillit Bashkiak.  Ndërkohë nga ana tjetër besoj se modeli i ndërtuar në Shijak, duhet të shtrihet në të gjithë bashkitë e tjera”, u shpreh Rama.

Ndërkohë Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj gjatë fjalës së tij theksoi se procesi ka përfunduar në shtatë Bashki.

5708 familje janë përfituese. Presim përfundimin në Bashkinë e Tiranës, Lezhë dhe Durrës. 2 miliard lekë është shuma në Bashkitë me proces të përfunduar. Për të gjitha Bashkitë që do të bëjnë vlerësimin final, premtojmë që brenda korrikut të gjitha familjet të marrin paratë”, theksoi Ahmetaj.