Granit Xhaka u votua si kapiten i Arsenalit këtë fillim sezoni dhe mesfushori me origjinë shqiptare, është një lider tek ekipi londinez. Si brenda fushës, ashtu dhe jashtë saj, Xhaka i ka mbrojtur gjithmonë shokët e tij të skuadrës.
Edhe sot, kapiteni i “Topçinjve” ka mbrojtur blerjen më të shtrenjtë në historinë e klubit, Nicolas Pepe. Edhe pse Arsenali pagoi 72 milionë sterlina për të, Pepe ende nuk ka treguar formën e tij më të mirë, duke shënuar vetëm një gol me anë të një penalltie.
Megjithatë, Xhaka beson se Pepe do të bëhet një nga lojtarët më të mirë në botë: “Të gjithë i dimë aftësitë e tij. Për ne që e shohim çdo ditë në stërvitje, e kuptojmë se Nico ka shumë talent. Normalisht, po kalon një periudhë të vështirë, por të gjithë futbollistët e kanë problem ambientimin. Nuk mendoj se kritikat ndaj tij kanë sens, besoj se do të bëhet një ndër më të mirët në botë”, tha mes të tjerash Xhaka./abcnews.al