Grabitja në Rinas, identifikohet njëri prej të dyshuarve

schedule15:52 - 19 Prill, 2019

schedule 15:52 - 19 Prill, 2019

Bashkëpunëtorët e ngushtë të Admir Muratajt në grabitjet e mëparshme në Shqipëri dhe Greqi, janë ndër personat më të dyshuar si autorë të grabitjes së 9 Prillit në Rinas. Grupi hetimor ka në fokus disa prej këtyre personave që janë të shpallur në kërkim.

Ngushtohet rrethi i personave të cilët dyshohet se mund të kenë ndihmuar Admir Muratajn për të kryer supergrabitjen në Rinas, më 9 Prillit. Burime nga grupi hetimor theksojnë se të dyshuar kryesorë janë miq apo bashkëpunëtorë të Admir Muratajt në grabitjet e mëparshme në Shqipëri apo Greqi si dhe gjatë qëndrimit në burg në shtetin fqinj.
Një ndër ta, sipas burimeve nga hetimi, është Klement Çala. 31vjeçari me origjinë nga Elbasani, vijon të jetë në kërkim jo vetëm në Shqipëri por edhe në Greqi.
Sipas hetimeve te deritanishme, te dokumentuara ne dosjet e policisë greke, Çala së bashku me Muratajn akuzohen për grabitjen e 1 milionë eurove në bankën e Larisës në Greqi, pasi u arratisën nga burgu i Trikallas në vitin 2013.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ne Shqipëri, të njëjtën aktivitet Klement Çala dhe Admir Murataj, dyshohet se kanë kryer edhe në vendin tonë gjatë viteve 2014-2017.
Të dy akuzohen si personat që kryen grabitjen e autoblindave me para’ në Qaf-Kashar, teksa lëviznin drejt Rinasit. Hetimet e deri tanishme theksoj se Çala ka qenë miku i ngushtë i të ndjerit Admir Murtajt, i cili u qëllua për vdekje nga policia mesditën e 9 Prillit pas grabitjes së disa miliona eurove brenda aeroportit të Rinasit.
Gjithashtu policia e shtetit ka dyshime dhe po heton për një ish-komando të ushtrisë, i cili mund të ketë marrë pjesë ne grabitjen e fundit ne Rinas.
Kontrollet e uniformave blu vijojnë në fshatrat, Tapizë, Nikël, Dritas, Fushë-Krujë, ku dyshohet se kanë lëvizur grabitësit.
Grabitja e 9 Prillit në aeroportin e Rinasi ishte çështje diskutimi në takimin e thirrur të premten nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj me drejtorin e përgjithshëm të policisë Ardi Veliu dhe drejtuesit e policive të Tiranës dhe Durrësit.
Lleshaj u ka kërkuar vartësve të tij zbardhjen sa me parë të rrethanave dhe autorëve të grabitjes si edhe të ngjarjeve të tjera kriminale, ende pa autorë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!