Në foto dy vëllezërit Çala
Gjykata e Posaçme ka zbardhur sot vendimin për 7 autorët e grabitjes së Rinasit në 9 prill të 2019-ës.
Sipas Gjykatës janë dhënë në total 122 vite burg për 7 anëtarët që grabitën në Rinas 4.6 milionë euro.
GJKKO dënoi me 20 vite burg Klement Çalën dhe me 17 vjet burg 7 të pandehurit e tjerë, Eldi Çala, Oltjan Veseli, Renaldo Sula, Saimir Çela, Elton Pikli, Talo Çela dhe Alkond Bengasi.
Dy vëllezërit nga Elbasani Klement dhe Eldi Çala, të akuzuar si personat kryesorë që morën pjesë në grabitjen spektakolare brenda aeroportit të Rinasit, u arrestuan në vitin 2020, pas 3 vitesh kërkim.
Mbi 300 forca policie nga Tirana, Durrësi, RENEA dhe ato FAST morën pjesë në megaoperacionin për kapjen e tyre.
Lexo edhe: Nga Talo Çela tek Klement Çala, sa vite burg kërkon SPAK për 8 grabitësit e milionave në Rinas
Gjurmimi i tyre u bë me metoda speciale të hetimit, pasi shpesh herë ata ndryshonin edhe vendbanimet. Në momentin e ndërhyrjes, Klement dhe Eldi Çalës iu sekuestruan 3 pistoleta, dy makina dhe dy motorrë, si dhe një shumë prej më shumë se 100 mijë eurosh.
Sipas policisë, paratë e gjetura të fshehura në pjesë të ndryshme të makinës, brenda garazhdit të vilës ku ata jetonin dyshohet të jenë ato të grabitura nga barku i avionit në 9 Prill të 2019-ës, ku mbeti i vrarë Admir Murataj, organizator i grabitjes.
Për këtë ngjarje policia vuri në pranga 7 persona. I pari që u arrestua ishte Alkond Bengasi, dëshmia e të cilit zbuloi edhe pjesëtarët e tjerë të grupit. Bashkë me të, blutë prangosën edhe të cilësuarin si ‘daja’ nga Kosova Ragip Hajdini, Elton Pikli, Renaldo Sulaj, Oltion Veseli, Saimir Çela dhe punonjësin e cargos në Rinas, Hasan Kanaçin.
/abcnews.al/