Grabitja në Rinas, arrestohen vellezërit Çala, i gjenden armë e mbi 100 mijë euro me vete

schedule17:10 - 19 Mars, 2020

schedule 17:10 - 19 Mars, 2020

Dy vëllezërit nga Elbasani Klement dhe Eldi Çala, të akuzuar si personat kryesorë që morën pjesë në grabitjen spektakolare brenda aeroportit të Rinasit, arrestohen pas 3 vitesh në kërkim. Mbi 300 forca policie nga Tirana, Durrësi, RENEA dhe ato FAST morën pjesë në megaoperacionin për kapjen e tyre.

Në orët e para të së enjtes, ata u kapën në një vilë luksoze në zonën e Golemit. Burime zyrtare të policisë konfirmuan për “ABC News” se këtë ambient, dy vëllezërit e kishin marrë me qira prej disa muajsh.

Gjurmimi i tyre u bë me metoda speciale të hetimit, pasi shpesh herë ata ndryshonin edhe vendbanimet. Në momentin e ndërhyrjes, Klement dhe Eldi Çalës iu sekuestruan 3 pistoleta, dy makina dhe dy motorrë, si dhe një shumë prej më shumë se 100 mijë eurosh.

Sipas policisë, paratë e gjetura të fshehura në pjesë të ndryshme të makinës, brenda garazhdit të vilës ku ata jetonin dyshohet të jenë ato të grabitura nga barku i avionit në 9 Prill të 2019-ës, ku mbeti i vrarë Admir Murataj, organizator i grabitjes.

Për këtë ngjarje policia vuri në pranga 7 persona. I pari që u arrestua ishte Alkond Bengasi, dëshmia e të cilit zbuloi edhe pjesëtarët e tjerë të grupit. Bashkë me të, blutë prangosën edhe të cilësuarin si ‘daja’ nga Kosova Ragip Hajdini, Elton Pikli, Renaldo Sulaj, Oltion Veseli, Saimir Çela dhe punonjësin e cargos në Rinas, Hasan Kanaçin.

Ky i fundit dyshohej të ketë informuar grabitësit për lëvizjen e blindave me para, por pas disa muajsh gjykata i caktoi masën detyrim paraqitje, duke e liruar nga qelia. Në paraburgim vijojnë të jenë të akuzuarit e tjerë.

Aktualisht, në kërkim vijon të jetë bashkëpunëtori i tyre Talo Çela, të cilit më herët OFL i dërgoi formularin për të justifikuar pasurinë.

Ndërsa në muajin Korrik, policia vuri në sekuestro pasurinë e dy vëllezërve Klement e Eldi Çala, e cila kapte vlerën e rreth 500 mijë eurove. Dy vëllezërit akuzoheshin edhe për grabitjen e blindave me para të ndodhur në 2017-ën në Qafë Kashar.

Për arrestimin e tyre reagoi edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. Në një reagim në “Twitter” ai shkruan se kapja e vëllezërve të shumëkërkuar shënon luftën kundër krimit të organizuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!