ABC News ka mësuar detaje të reja në lidhje me grabitjen që ndodhi në një bankë të nivelit të dytë pasditen e së premtes në Laç. Sipas burimeve autorët kanë vjedhur paratë që sapo ishin depozituar në bankë nga drejtoria rajonale e shërbimeve të transportit rrugor në këtë qytet. . Policia ka shoqëruar në komisariat disa persona, por ende nuk ka të arrestuar nga grabitësit.
Paratë që u grabitën në një bankë të nivelit të dytë në Laç ishin të drejtorisë rajonale të shërbimeve të transportit rrugor po në këtë qytet.
ABC News ka mësuar se vjedhja ka ndodhur sapo mjeti i blinduar kishte dorëzuar lekët në bankë.
Roja ishte i paarmatosur dhe tre autorët me ndihmën e sendeve të forta kanë thyer xhamin e derës kryesore.
Megjithëse ajo nuk ka qenë e hapur për klientët brenda saj ndodheshin 7 punonjësit të cilët po përpunonin lekët.
Nën kërcënimin e armës grabitësit kanë terrorizuar personat që ishin në bankë dhe më pas kanë marrë një sasi parash.
Burime të ABC News bëjnë me dije se autoret dyshohet se janë larguar me një automjet tip Land Rover.
Sinjali i bankës ka ardhur rreth 15 minuta pasi ndodhi ngjarja.
Në disa zona të Laçit janë ngritur pika të shumta kontrolli për të kapur autorët. Në ndihmë të policisë Kurbin shkuan edhe forca të FNSH në Tiranë dhe nje grup i FNSH në Shkodër.
Pamjet e kamerave të bizneseve pranë bankës u sekuestruan për të zbuluar rrugën që kanë ndjekur grabitësit.
Deri tani janë shoqëruar ne komisariat disa persona si dhe janë kontrolluar banesa e garazhe./abcnews.al