Grabitja e Rinasit, verifikime edhe zyrtarëve të aviacionit

schedule16:40 - 3 Maj, 2019

schedule 16:40 - 3 Maj, 2019

Prokuroria e Krimeve të Rënda po kryen verifikime edhe për 20 zyrtarë të Autoritetit të Aviacionit Civil dhe TIA, lidhur me grabitjen e Rinasit. Burime nga grupi hetimor i kësaj çështjeje thonë se përveç ICTS, edhe zyrtarë të këtyre dy institucioneve mund të kenë kryer shpërdorim detyrë.

Përveç kompanisë ICTS e kontraktuar nga TIA për sigurinë e aeroportit të Rinasit, Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton edhe zyrtarët e Aviacionit Civil  për grabitjen e 6 milion eurove brenda pistës aeroportit.

Burime nga grupi hetimor konfirmojnë për ABC Neës se, ky hetim nisi pas këqyrjes së pamjeve të kamerave të sigurisë dhe të dokumentacionit për kontrollin periodik të sigurisë së aeroporit të Rinasit.

Konkretisht, burime nga organi i akuzës theksuan se nuk janë kryer kontrolle tremujorshe nga  ICTS dhe TIA për parametrat e sigurisë në Aeroport.

Edhe kur janë evidentuar problematikat, pohojnë burimet nga Prokuroria, nuk janë marrë masa për t’i riparuar ose për ti zëvendësuar në rastin kur kanë munguar.

Edhe për këta zyrtarë, theksojnë burime nga grupi hetimor kanë nisur hetimet, ashtu si edhe për zinxhirin komandues të Kompanisë së sigurisë ICTS. Vepra që po hetohet deri më tani është ajo e “Shpërdorimi të detyrës”.

Askush nga zyrtarët e lartë, ICTS, TIA dhe Aviacionit Civil nuk është ndaluar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pavarësisht po verifikohen rreth 20 prej tyre.

Ndërkohë, Prokuroria po analizon edhe ndarjen e përgjegjësisë për grabitjen e 9 Prillit. Grupi hetimor ka këqyrur pamjet filmike të momentit kur ndodhi grabitja si edhe kohen e reagimit të punonjësve të kompanisë  ICTS, teksa keqbërësit arritën të hynin dhe dilnin duke marrë thasët me para pa u shqetësuar nga askush.

Ndërkohë pas hekurave janë 6 persona, te dyshuar se janë përfshirë në grabitjen e Rinasit.  Një provë e fortë e organit të akuzës është dëshmia e Alkon Bengasit.  Pesë persona te tjere vijojnë të jenë ende në kërkim./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!