Pas ngërçit të dosjes “Shullazi” duket se një tjetër çështje po shkon drejt po të njëjtës situatë, është edhe dosja e grabitjes së miliona eurove në rrugën drejt aeroportit të Rinasit më 3 Dhjetor 2015.
Në Gjykatën e Posaçme të Apelit u shty për të 25 herë seanca për 8 të pandehurit e kësaj dosje, duke bërë që të mos nisë shqyrtimi i dosjes në themel. Ky proces ka nisur në gjykatë që në muajin Qershor të vitit të kaluar.
Mungesat e avokatëve mbrojtës si dhe kërkesat e tyre të herë pas hershme për ndryshim të trupës gjykuese për shkak të konflikteve të interesit mes palëve jane bere shkak per shtyrjen e seancave maratonë. Nga ana tjetër, më datë 18 Mars pritet që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të dalë me një vendim përfundimtar për gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme të Apelit, Nure Dreni.
E nëse kjo e fundit shkarkohet nga Vettingu, ekziston mundësia që procesi të çoje drejt lirimit Dash Kupën, Ernest Kupën, Neim Avdylajn, Ditjon Memlikën, Admir Çerpjan, Fatjon Xhyliun, Dritan Sinanin dhe Aleksandër Muratajn, për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit.
Grupi i grabitjes spektakolare u dënua me 107 vite burg në total nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda në 26 Mars 2019.
Dash Kupa u dënua me 18 vjet burg, me 17. 4 vite u dënua Ernest Kupa, Neim Avdylaj me 17.4 vite, Ditjon Memlika me 8.6 vite heqje lirie, Admir Cerpja me 5.8, Fatjon Xhyliu me14 vite burg, Dritan Sinani me 13.4 vite, dhe Aleksandër Murataj me 12.8 vite burg.
Pjesë e kësaj dosje ishte edhe Admir Murataj i cilësuar si kreu i grupit, i cili mbeti i vrarë në grabitjen e ndodhur më 9 Prill brenda pistës së aeroportit të Rinasit, si organizator i po kësaj ngjarje./abcnews.al