Administratori i një pike të këmbimit valutor në Cërrik është grabitur mëngjesin e sotëm nga një person i armatosur. Ai ka deklaruar se autori ishte pa maskë dhe është ndihmuar nga persona të tjerë për t’u larguar. Shuma që i grabitën kambistit është 14 milionë lekë të vjetra.
Ky është kambisti që u grabit mëngjesin e së shtunës tek dera e banesës. Adem Ngjela tregon se dikush po e priste përballë një dyqani aty pranë.
Autori qëndronte i qetë dhe i pamaskuar. Kambisti ka futur lekët në makinë dhe kur po bëhej gati të nisej është kërcënuar me pistoletë.
“Në momenti që u afru 2-3 metra nga makina më tha lekët, largohu nga kroskoti se të vrava, mos bëj lëvizje. Unë në atë kohë isha në mëdyshje, mendova se mos ishte një pistoletë jo e saktë dhe po ma bënte për të më trembur. Mu duk si pistoletë e rregullt, në momentin që e shtoi kërcënimin mendova se do të më shtijë dhe ia futa me vrap në drejtim të shtëpisë”.
Kur grabitësi është larguar Ngjela ka dhënë alarmin duke kërkuar ndihmë.
“Komshiu i katit të dytë më tha që dola unë nga britmat dhe ulërimat e tua dëgjova zhurmë motori dhe ka pritur tjetri aty në qosh. Autori ishte i pamaskuar fare edhe tani e dalloj. Ishte rreth moshës 40 vjeç, i shëndoshë 1.75 i gjatë”.
Kambisti thotë që grabitësi i kishte çarë edhe gomën e makinës.
“Ata ishin të përgatitur kishin çarë edhe njërën gomë, u vërtetua që e kanë çarë me dashje se tha dhe gomisti tani që po vë gomë të re. Tha edhe polici që ty të kanë çarë gomën se nuk bën vaki të jetë çarë vetë, gomat i kisha të reja”.
Gjatë paradites ai ka dhënë dëshmi në polici. Administratori i pikës së këmbimit valutor ka deklaruar se kishte 14 milione lekë të vjetra në makinë dhe po shkonte në biznesin e tij në Elbasan./abcnews.al