Goran Stanishiç dënohet me 20 vjet burgim për krime lufte

schedule12:55 - 5 Tetor, 2021

schedule 12:55 - 5 Tetor, 2021

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 20 vjet burgim, Goran Stanishiqin, pasi u shpall fajtor për vrasjen e 13 civilëve në Sllovi të Lipjanit gjatë luftës në Kosovë.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të martën nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Speciale e Kosovës në aktakuzën e saj pati theksuar se i akuzuari Goran Stanishiq, si pjesëtar i forcës policore rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në muajin prill të vitit 1999, në fshatrat Sllovi dhe Tërbovc, kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare dhe në kryerjen e vrasjeve dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme.

Veprimet e tij ishin në kuadrin e një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake paramilitare dhe policore serbe kundër popullatës civile shqiptare, thuhej në aktakuzë.

Prokuroria në katër pikat e aktakuzës e kishte akuzuar atë për pjesëmarrje në vrasjen e pesë anëtarëve të familjes G., vrasjen e F. B., Z. G. dhe personave të tjerë të cilët sipas Prokurorisë ishin ndarë nga kolonat me qytetarë dhe ishin pushkatuar, transmeton kallxo.com.

Avokati mbrojtës i të pandehurit. Ljubomir Pantoviq në fjalën e tij përfundimtare, ka vënë në dyshim kredibilitetin e dëshmitarëve. Ai ka thënë se dëshmitarët në asnjërën prej dëshmive të tyre nuk kanë përmendur emrin e të pandehurit./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!