Gomonia me drogë në grykëderdhjen e Vjosës, arrestohen 2 trafikantët

schedule11:05 - 23 Janar, 2019

schedule 11:05 - 23 Janar, 2019

Një ditë pas bllokimit të një gomoneje me mbi 500 kg drogë në grykëderdhjen e Vjosës policia e Fierit në bashkëpunim me prokurorinë e krimeve të rënda ka ndaluar dy trafikantët e lëndës narkotike, 39 dhe 33 vjeç.

Dy persona të cilët dyshohet se janë poseduesit e drogës që u kap të martën në mëngjes në grykëderdhjen e Vjosës kanë përfunduar në pranga. Policia e Fierit në bashkëpunim me prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe policinë lokale të Fierit, Vlorës dhe Elbasanit kanë arrestuar dy trafikantët e lëndës narkotike.

39 vjeçari me inicialet A.A dhe 33 vjeçari me inicialet E.Xh dyshohet se do ta trafikonin drejt Italisë mbi 500 kg kanabis sativa. Transporti i drogës u ndërpre gjatë kohës që ndodheshin në det, pasi u pikasën nga policia kufitare e Vlorës dhe Guardia Di Finanza.

Pas ndjekjes policore dy personat që ndodheshin në gomone braktisën mjetin lundrues pranë fshatit Bishan dhe u larguan në errësirë në drejtim të pyllit.

Droga ndodhet në komisariatin e Fierit. Burime nga aty i thanë ABC News se sasia e drogës arrin mbi 500 kg, por ende nuk ka një njoftim zyrtar për peshën e saktë të lëndës narkotike.

Mjeti lundrues dhe dy automjetet e sekuestruara të cilat ishin pa targë janë në Zvërnec. Hetimet tashmë janë duke vijuar dhe dyshohet se në këtë trafik droge janë të përfshirë edhe persona të tjerë . Mendohet se gomonia është transportuar me një zetor me karel drejt grykëderdhjes së Vjosës. Nga aty do të lundronte drejt Italisë bashkë me sasinë e madhe të drogës./abcnews.al

Gazetar i ABC News Vlorë: Enton Nika 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!