Golden Stejti në finalen e Perëndimit në NBA

schedule14:59 - 11 Maj, 2019

schedule 14:59 - 11 Maj, 2019

Golden Stejti u kualifikua për në finalen e Konferencës Perëndimore në basketbollin amerikan, edhe pse nuk e pati yllin kryesor, Kevin Durant. Kampionët në fuqi mundën sërish Hjustonin.

Pa Demarkus Kouzinsin! Pa Kevin Durantin! Pa problem!

Një kombinim që është përdorur shpesh për të përshkruar ngjarje që sfidojnë pritshmëritë, dhe i përshtatet më së miri mbylljes së duelit Hjuston Rokits-Golden Stejt Uorriors, në gjysmëfinalet e Perëndimit në NBA.

Ndryshe nga sa pritej, triumfoi Golden Stejti, 118-113, dhe u kualifikua për në finalen e Konferencës, edhe pse i mungonte ylli kryesor i plej ofit, Kevin Duranti.

Në skenë doli dyshja e quajtur “Vëllezërit Splesh”, Stefën Kërri dhe Klej Tompson, të ndihmuar edhe nga Drejmond Grin dhe pjesa tjetër e skuadrës, sidomos Iguodala, Livingston apo Lunei.

Kërri shënoi 33 pikë, që të gjitha në pjesën e dytë, ndërsa Tompson pati 27.

Grin iu afrua një tripëll dabëlli me 8 pikë, 10 topa në tabela, 7 asistë, Iguodala shënoi 17 pikë, dhe Lunei 14.

Në një ndeshje shumë të barabartë, Hjustonit nuk i mjaftuan 35 pikët e liderit Xhejms Harden, as 27 pikët e Kris Polit.

Dueli në Arenën teksane nuk kishte si të bëhej më i ekuilibruar.

Pjesa e parë u mbyll me vetëm 1 pikë epërsi për Hjustonin, në pushim dy skuadrat ishin në barazim 57-57, në fund të pjesës së tretë vendasit kryesonin me 5 pikë.

Kur duheshin edhe 58 sekonda deri në përfundim, rezultati ishte 107-104 për Golden Stejtin, pas koshit të Hardenit, por një tripikësh i Tompsonit, 36 sekonda para sirenës, efektivisht i dha fund gjithçkaje.

“Kurrë mos e nënvleftësoni zemrën e një kampioni”, ishte komenti i Lebron Xhejmsit në rrjetet sociale.

Xhejmsi luajti 4 finale për titull ndaj Golden Stejtit, duke arritur të fitojë vetëm një.

Tashmë, kampionët presin rivalin e Konferencës Perëndimore, që do të dalë nga çifti Denver-Portlend, për momentin i barabartë 3-3. /ABC news Albania 24/7