Golden State fiton finalen e parë në NBA

schedule14:46 - 1 Qershor, 2018

schedule 14:46 - 1 Qershor, 2018

Golden State fitoi ndeshjen e parë finale të basketbollit amerikan. Kampionët në fuqi përballuan një paraqitje të jashtëzakonshme të Lebron James-it

Ishte i vendosur të jepte shpirtin për të fituar.

Lebron James e dinte mirë se ky ishte ndoshta rasti i tij i fundit në karrierë për të realizuar një mrekulli e për të fituar titullin në NBA.

Nuk ka gjë më të rrezikshme sesa një kampion në versionin e tij maksimal, dhe Golden State e provoi në ndeshjen e parë të Finales së Madhe, edhe pse luajti në fushën e vet, edhe pse në fund fitoi.

Basketbollisti më i mirë i botës dha një tjetër provë nga ato që do të mbeten në histori, dhe me të cilat mund të vlerësohet si numri 1 i të gjitha kohëve, edhe mbi Michael Jordan-in.

Shënoi 51 pikë, kapi 8 topa në tabela, shërbe 8 pasime për kosh, në humbjen pas kohës shtesë, 114-124.

Lebron i bë i dyti lojtar në histori që shënon mbi 50 pikë në një ndeshje finale, i vetmi pas Jordanit.

James u bë i pari lojtar që shënon 51 pikë, kap 8 topa në tabela e jep 8 asistë në një sfidë të Finales së Madhe.

Tridhjetetrevjeçari mbetet i vetmi që mund ta bëjë një skuadër mesatare, kampione të NBA-së, si akush tjetër që nga kohët kur nisi të luhej basketbolli në Amerikë.

Me klasin dhe karakterin krejt të pazakonshëm, ai cilësohet si Maradonë i koshit, padyshim sportisti më i madh në botë sot për sot.

Sidoqoftë, as edhe një individ i tillë nuk mund ta bëjë historinë i vetëm.

Në Arenën e Oklendit, përballë tij ishte katërshja më e fortë e rruzullit, ajo që më në fund i mbijetoi mrekullisë.

Stephen Curry ishte sërish i pazëvendësueshëm duke shënuar 29 pikë, kapur 6 topa në tabela e shërbyer 9 asistë.

Talenti trupvogël ishte vendimtar me lojën e tij si një vallëzim, dhe me koshat nga distancat tepër të mëdha, në momentet kulmore.

Kevin Durant nuk ishte i jashtëzakonshëm, por bëri pjesën e tij.

Shënoi 26 pikë, kapi 9 topa në tabela e dha 6 asistë, duke vjedhur një top e duke bllokuar 3 gjuajtje të kundërshtarëve.

Kapiteni Klej Tompson pati 24 pikë, ndërsa Drejmond Grin bëri nga të gjitha, me 13 pikë, 11 topa në tabela, 9 asistë, 5 vjedhje topi, e 2 bllokime gjuajtjesh.

Në fund, Cleveland pati mundësi të fitonte, por Smith u ngatërrua duke bërë që koha e rregullt të përfundonte 107-107.

Në kohën shtesë, asgjë nuk mund ta ndalonte kampionen në fuqi, që kishte shumë më tepër alternativa, përballë Lebronit të lodhur.

Koshat erdhën njëri pas tjetrit dhe diferenca shkoi në 10 pikë, për t’u mbyllur në 124-114.

Ndeshja e dytë luhet duke u gdhirë e hëna, sërish në fushën e Golden State, në Oklend./abcnews.al