Golden State e nis me fitore NBA-në

schedule23:51 - 17 Tetor, 2018

schedule 23:51 - 17 Tetor, 2018

Golden Stejti e nisi me fitore sezonin e ri në basketbollin amerikan. Kampionët në fuqi, gjithsesi, e patën tepër të vështirë ndaj Oklahomës.

Fillimi duhej të ishte i tillë. Sporti nuk i pëlqen shumë ceremonitë, por kampionët e kishin të pashmangshe mbrëmjen e celebrimit të titullit.
Në Arenën e shkëlqyer të Oklendit, nuk mund të mos ndihej krenaria dhe vetëkënaqësia për arritjen e qëllimit, ndërsa u rreshtuan titujt dhe kampionët ndër vite, si dhe u shtua një tjetër flamur fitimtar.

Ky shpërqëndrim tepër i këndshëm i vëmendjes do ta jepte menjëherë pasojën negative, në ndeshjen e parë të sezonit të ri të NBA-së. Edhe pse Oklahoma kundërshtare u paraqit pa lojtarin e saj më të mirë, Rasëll Uestbrukun e dëmtuar, sërish e pati më të lehtë përballë kampionëve ende të ngopur. U desh Stefën Kërri në versionin më të mirë që të kalohej me sukses një sfidë e rrezikshme, që u fitua 108-100. Ylli shtatshkurtër shënoi 32 pikë, dha 9 asiste dhe kapi 8 topa në tabela.

Ai pati në krah, ashtu siç duhet, lojtarin më të mirë të finaleve të vjetshme, Kevin Durantin, që shënoi 27 pikë, kapi 8 topa në tabela dhe shërbeu 6 pasime për kosh. Kërri dhe Duranti bënë që të tejkalohej forma jo aq e mirë e kapitenit Klej Tompson, dhe mungesa e qendrës së afruar gjatë verës, DeMarkus Kouzins, që është i dëmtuar. Oklahoma i vuri kampionët në vështirësi, dhe Pol Xhorxh ishte më i miri për ta me 27 pikë. Sfida e parë, pra, u kalua me sukses, ndërsa trajneri Stiv Kërr thotë se yjet e tij kanë nevojë edhe për dy javë kohë për të qenë në formën e tyre normale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!