Azdren Llullaku dhe Taulant Seferi shënuan në futbollin europian këtë fundjavë. Llullaku realizoi në Rumani, ndërsa Seferi ia doli në Zvicër.
Njëri është i konfirmuar, ndërsa tjetri po e tregon veten hap pas hapi. Dy lojtarë të kombëtareve shqiptare shënuan këtë fundjavë në kampionatet europiane në futboll. Azdren Llullaku ia doli, edhe pse me penallti, në elitën e Rumanisë, duke ndihmuar ekipin e tij, Astrën, që të fitojë 2-0 në fushën e Hermanshtatit.
Llullaku është pjesë e kombëtares shqiptare, ndonëse nuk është thirrur kohët e fundit nga trajneri Panuçi, veçse forma e mirë mund ta ndihmojë të veshë përsëri fanelën kuqezi, ndërsa nuk harroi festimin me shqiponjë.
Në Zvicër, po shfaqen gjithnjë e më shumë një talent i ri. Ky është lojtari i Shpresave të Shqipërisë, Taulant Seferi, që shënoi për Vinterturin në ligën e dytë zvicerane. Lojtari 21-vjeçar i krahut shënoi në suksesin 2-1 ndaj Vaducit, ndërsa Vinterturi u ngjit në krye të renditjes, të paktën përkohësisht.
Seferi realizoi dy herë për Shqipërinë U21 në barazimin 2-2 në Estoni për eleminatoret e Europianit. Ai shpreson që të ngjitet në Superligën zvicerane me ekipin aktual, por edhe që të kthehet nga huazimi, për t’u bërë pjesë e Jang Bojsit, klubit të njohur që zotëron kartonin e tij./abcnews.al