Gola me shumicë dhe portë e siguruar, shkëlqejnë Selmanët

schedule19:40 - 22 Qershor, 2020

schedule 19:40 - 22 Qershor, 2020

Java e familjes Selmani, nga Turqia, në Superiore e te moshat. Portieri, Gentiani, dha kontributin e tij që Menemenspor të merrte tre pikë në transfertë kundër Balikesirspor. Gardiani e mbajti rrjetën e portës së tij të paprekur dhe me rezultatin 0-1 iu gëzuan triumfit.

Në Shqipëri, ku ai ka familjen, iu gëzua golave të vëllezërve. Të shtunën Laçi kishte një finale me Kukësin dhe Adolfi, së bashku me shokët e skuadrës, nuk lejuan rivalët të shënonin. Kjo ishte detyra primare e mbrojtësit të qendrës.

 

Pasi e kreu atë, në mesin e pjesës së dytë zgjodhi të qetësonte skuadrën e tij pas një goditjeje këndi. Me kokë ai goditi topin pas krosimit të Deliut dhe portieri Dashamir Xhika nuk kishte asnjë shans ta ndalte.

Festë me trajnerin Armando Cungu dhe shokët e skuadrës, por golin e parë të tij në Superiore deshi ta festonte në mënyrë të veçantë edhe babai i tij, Nazmiu. Në fushë, së bashku me të birin, që ka nisur tani rrugëtimin e tij në Superiore.

 

Në familjen Selmani ka edhe të tjerë që duan të luajnë futboll si profesionistë. Santiago, i cili luan në sulm, stërvitet me ekipin e parë të Laçit dhe aktivizohet me të rinjtë.

Dje bardhezinjtë e vegjël siguruan vendin e katërt, pas triumfit tenistik kundër Shkëndijës së Durrësit. Tre prej golave, në fitoren 6-1, i shënoi pikërisht shtatlarti Selmani, i motivuar sa duket nga vëllezërit e tij. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!