Goditje e trefishtë e “Verdhekuqve”, Roma “blindon” skuadrën në ditët e fundit të merkatos

schedule22:16 - 30 Gusht, 2024

schedule 22:16 - 30 Gusht, 2024

Kanë zhvilluar një merkato spektakolare.

Pas transferimeve të Enzo Le Fee, Artem Dovbyk, Matias Soule, Samuel Dahl, Angelino e Saud Abdulhamid “Verdhekuqtë” italianë të Roma nuk kanë menduar të ndalen, por kanë afruar edhe tre futbollistë të tjerë, në këtë sesion transferimesh.

Më konkretisht një mbrojtës, një mesfushor qëndre dhe një lojtar për krahun e sulmit.

I pari në listë është 24-vjeçari portugez, Tiago Djalo, me “shtatlartin” e mbrojtjes, i cili mund të luajë në çdo cep të prapavijës.

Sa i përket marrëveshjes, “luzitani” do të qëndrojë për një sezon i huazur në kryeqytetin italian e në rast se “Ujkonjat” dëshirojnë të blejnë përfundimisht kartonin e tij, duhet të derdhin në arkat e Juventus plot 10 milionë euro.

Më tej në listën e transferimeve të “Verdhekuqve” vjen anësori i Milan, Alexis Saelemaekers, me 25-vjeçarin, i cili është “ndërruar” kokë me kokë me “bomberin” anglez, Tammy Abraham, në një huazim të thjeshtë për një sezon.

“Qershia mbi tortë” është transferimi i radhës, kësaj here në qendër të mesfushosë së “gjigantëve” italianë, me 23-vjeçarin francez, Manu Kone, i cili do të zbarkojë në orët në vazhdim, në Romë, për të firmosur edhe kontratën si lojtari më i ri i kryeqytetasve.

Për kartonin e tij, Roma derdhi në arkat e gjermanëve të Borussia Monchengladbach plot 25 milionë euro të shpërndara në formulën 20 milionë euro bazë dhe 5 të tjera bonus, ndërsa “fantazisti” do të firmosë një kontratë 5-vjeçare, të vlefshme deri në verën e vitit 2029. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!