Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë. Njoftimi u dha nga Ambasada amerikane në Prishtinë.
Analisti politik Adri Nurellari, komentoi në emisionin “Balkan Update” në ABC News këtë mesazh nga SHBA, duke thënë se ishte një shuplaktë që iu dha vendit. Sipas tij përgjegjësi për këtë situatë është Albin Kurti.
Gjatë intervistës Nurellari e cilësoi Kurtin si një politikan populist. Më tej shtoi se Kosova nuk është pronë e Kurtit dhe se nuk mund të “izolohet” nga partnerët për shkak të kapriçove të tij.
“Kosova ka nevojë për përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë. Humbja e këtij besimi dhe mesazhi që po dërgon SHBA është shumë e rëndë. Dhe kjo mund ta lërë Kosovën edhe më të izoluar. Mesazhi padyshim është që qeveria aktuale nuk shihet si partnere e besueshme”, tha ai.
Nurellari theksoi se Kurti ka shkaktuar vetëm dëmtim dhe izolim për Kosovën.
“Kosova ka një kosto afatgjate dhe po humbet një besim të jashtëzakonshëm. Situata nuk është e mirë për vendin”, shtoi ai.
/abcnews.al/

