Në Gjermani ka alarm për ndeshjen e Wolfsburg ndaj Kukësit në Ligën e Europës. Mediat shprehen me frikë për situatën e koronavirusit, ndërsa drejtuesit e klubit ende janë të painformuar
Do të kishin dashur një short tjetër, por jo për arsye sportive. Te Wolfsburg në Gjermani, por edhe në disa media, ka alarm për duelin ndaj Kukësit në turin e dytë të Ligës së Europës. “Udhëtim në një zonë të rrezikshme”, titullon media gjermane, “Sport Bazer”, që nënkupton sidomos problemet me koronavirusin dhe shpreh shqetësimin për sigurinë shëndetësore të lojtarëve.
“Ne do të interesohemi dhe do të marrim informacion për kushtet lokale, – u shpreh Jërg Shmadke, menaxheri i skuadrës gjermane, – për momentin nuk mund të flas shumë, sepse nuk kam informacion për futbollin shqiptar”.
Mediat gjermane kanë përmendur menjëherë se Zyra Federale për të huajt ka theksuar se turistët gjermanë duhet të shmangin udhëtimet e panevojshme drejt Shqipërisë. Ambasada gjermane në Tiranë ka informuar se në Shqipëri aplikohen masat mbrojtëse ndaj virusit, ndërsa faktor lehtësimi për Wolfsburgun është se ndeshja do të luhet në stadiumin modern “Arena Air Albania” dhe pa praninë e tifozëve.
Në Gjermani vlerësojnë se Kukësi është skuadër e mirë shqiptare, që doli kampion në vitin 2017, fitoi trofe në vitet 2016 e 2019, ndërsa paralajmërojnë se në 2015 një lojtar i Legias së Varshavës u godit me kokë në një ndeshje të Ligës së Europës ndaj Kukësit në Tiranë.
Vetë Wolfsburg është një skuadër e fortë e Bundesliga, që ka pretendime në Ligën e Europës. Vetëm 3 skuadra në short kishin koeficient më të madh sesa gjermanët, Tottenham, Basel dhe FC Copenhagen, ndërsa klube si Milani, Gallatasaray apo Rangers kanë koeficient më të ulët. /abcnews.al