Goditi me thikën gruan 3 ditë më parë, arrest me burg për 55-vjeçarin Adriatik Bodini në Sarandë

schedule12:26 - 4 Prill, 2025

schedule 12:26 - 4 Prill, 2025

U zhvillua këtë të premte seanca për vlerësimin e masës për 55-vjeçarin Adriatik Bodini, i ndaluar nga Policia e Sarandës për goditje me thikë të bashkëshortes së tij Mirjana Bodini. Ngjarje kjo e ndodhur 3 ditë më parë në shtëpinë e tyre në lagjen nr.4. të qytetit.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë në seancën e ditës së sotme drejtuar nga gjyqtar Mexhit Doçi ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin në flagrancë të dhënë nga prokurorja Esmeralda Basho dhe caktimin si masë “ Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim Adriatik Bodini.

Më datë 04.04.2025, në përfundim të gjykimit brenda afatit ligjor, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, gjyqtari i hetimeve paraprake Mexhit Doçi ka vendosur:

“Pranimin e kërkesave të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, vlerësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë të shtetasit Adritik Bodini i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Plagosja e rëndë me dashje”, të parashikuar nga neni 88/2 i K. Penal dhe caktimin si masë sigurimi personale shtrënguese ndaj shtetasit Adriatik Bodini atë  të “Arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.”

Në seancën e sotme 55- vjeçari është paraqitur i pandehur për veprimin e kryer prej tij duke u shprehur se gjithçka ndodhi pas një grindjeje në familje. 55-vjeçari është punëtor ndërtimi dhe kohët e fundit ishte duke punuar në Piqeras. 51-vjeçarja Mirjana Bodini, me profesion mësuese ndodhet ende në spitalin e Vlorës. Çifti Bodini janë prindër  të një djali./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!